FOKUS – Cavusoglu: E ardhmja e Turqisë është në Europë

ANKARA, 12 janar /ATSH-AA/ – Turqia është e vendosur të ecë përpara me reformat e pranimit në Bashkimin Europian, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

“Ne jemi të vendosur për axhendën e reformave”, u tha Cavusoglu ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në një takim në Pallatin Çankaya në Ankara.

”Ardhmërinë tonë e shohim në Evropë dhe këtë duam ta ndërtojmë së bashku”, theksoi ai.

“BE-ja nuk duhet të na pengojë, por të na ndihmojë”, shtoi shefi i diplomacisë turke.

Duke thënë se blloku dhe Turqia janë të lidhur ngushtë, ai deklaroi se “Turqia është në Europë dhe Europa është pjesë e fatit tonë. E njëjta gjë vlen për Europën”.

”Turqia, një vend kandidat për në BE që nga viti 2005, luan një rol të madh në sigurinë e Sirisë dhe Libisë, si dhe Kaukazin, Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe rajonet e Detit të Zi, dhe gjithashtu ka një rol kryesor në migracionin, energjinë, tregtinë, zinxhirët e furnizimit, transportin, komunikimin, sigurinë, kundër-terrorizmin, NATO dhe mbrojtje”, theksoi ai.

“Të gjitha këto çështje janë jetike për sigurinë dhe prosperitetin e Europës. Nëse veprojmë së bashku, ne mund të bëjmë ndryshime të rëndësishme në të gjitha fushat. Si Turqi, ne jemi gati për këtë partneritet”, tha ai.

Për fat të keq, tha ai, bashkëpunimi i dëshiruar midis Turqisë dhe BE-së nuk ka arritur të materializohet gjatë viteve për shkak të disa çështjeve dypalëshe që mbetën të pazgjidhura, dhe kjo ishte gjithashtu një humbje për Evropën.

Cavusoglu tha që ata kanë kërkuar vazhdimisht përdorimin e dialogut për të zgjidhur këto çështje bilaterale dhe në këtë proces, ata presin përparim në fusha konkrete në marrëdhëniet me BE-në.

“Turqia është e varur nga procesi i pranimit në BE. Nëse gjejmë një përgjigje pozitive nga BE-ja, ne gjithashtu tregojmë vullnetin e nevojshëm”, tha ai.

Pavarësisht statusit të saj të kandidatit për në BE, përparimi i Turqisë drejt pranimit është bllokuar për vite me radhë./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.