Dëmtime në linjat e tensionit të lartë në Shkodër/ OST: Vihet në punë linja 220-10/1a Fierzë– Hec-Fang

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Operatori i Sistemit të Transmetimit bëri të ditur sot se është vënë në punë linja 220-10/1a Fierzë– Hec-Fang në të cilën në mesnatë u konstatua këputja e trosit në kampatën 15-16.

Brigadat e linjave të NjOSH eliminuan me sukses avarinë pavarësisht kushteve aspak të favorshme.

OST tha se si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës dhe akullit të krijuar nga temperaturat e ulëta, ka patur dëmtime në linjat e tensionit të lartë 400 kV dhe 220 kV në Rajonin e Shkodrës, përkatësisht në linjat Koman–Kosova B, Fierzë–Hec-Fang dhe Fierzë-Koman.

Sipas OST-së, deri më tani janë evidentuar këputje përcjellësash me një gjatësi të konsiderueshme dhe dëmtime të pjesshme të shtyllave.

“Brigadat e mirëmbajtjes dhe riparimit të linjave të rajonit Shkodër dhe grupet e punës të NJMT janë në terren prej dy ditësh duke punuar pa ndërprerje për evidentimin e plotë të dëmeve dhe kthimin në normalitet të situatës pavarësisht terrenit tejet të vështirë me të cilin janë hasur, si rrugë ndihmëse të bllokuara dhe vështirësi në aksesimin e shtyllave”, njofton OST. /k.s/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.