COVID-19 – MV në pritje të fillimit të vaksinimit

SHKUP, 12 janar /ATSH-AA/ –  Ndërsa vaksinat janë bërë në të gjithë BE-në në javët e fundit, veprimi ende nuk ka filluar në shumicën e shteteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që shtrihet jashtë kufijve të Bllokut.

Vendet po presin vaksina të rezervuara përmes mekanizmit Covax, një iniciativë e ngritur për të siguruar qasje të drejtë në vendet me të ardhura më të ulëta, por ato dërgesa nuk priten së shpejti.

Sipas të dhënave më të fundit, fushata e vaksinimit nuk ka nisur ende në Maqedoninë e Veriut, megjithatë autoritetet e shëndetësisë shprehen optimiste se dozat e para të vaksinës përmes mekanizmit Covax do të vijnë në fund të janarit ose fillim të shkurtit.

“Vaksina antiCOVID-19 do të jetë falas dhe përparësi do të kenë punonjësit shëndetësorë të angazhuar në luftën kundër virusit, më pas qytetarët mbi 65 vjeç, pacientët me sëmundje kronike dhe të punësuarit në infrastrukturën kritike dhe transport”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai shtoi se kanë nisur përgatitjet intensive për procesin e vaksinimit, me qëllim përgatitjen e sistemit shëndetësor për vaksinim efikas./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.