BRUKSEL – BE kontratë me Valneva-n për vaksinat antiCOVID-19

BRUKSEL, 12 janar /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian njoftoi sot se kishte përfunduar bisedimet me kompaninë bioteknologjike franko-austriake Valneva, së cilës ajo ka parashikuar t’i blejë deri në 60 milionë doza të vaksinës së saj kundër koronavirusit.

BE ka nënshkruar tashmë gjashtë kontrata me laboratorët farmaceutikë për porositjen e vaksinave dhe është gjithashtu në diskutime me amerikanin Novavax për një maksimum prej 200 milionë dozash.

Sapo të finalizohen negociatat me Novavax dhe Valneva, Europa do të ketë kontrata me tetë laboratorë të ndryshëm për një potencial prej më shumë se 2,5 miliardë doza.

“Kontrata e parashikuar me Valneva do të paraprinte mundësinë, për të gjitha shtetet anëtare të BE-së, për të blerë së bashku 30 milionë doza fillimisht dhe më pas 30 milionë doza shtesë”, theksoi ekzekutivi europian në një komunikatë.

“Me këtë vaksinë të tetë, ne po pasurojmë gamën tashmë të madhe dhe të larmishme të vaksinave në portofolin tonë. Duke vepruar kështu, ne mund të maksimizojmë shanset tona që të gjithë qytetarët të mund të kenë akses në vaksina të sigurta dhe efektive deri në fund të vitit 2021”, theksoi komisionerja europianë e Shëndetësisë, Stella Kyriakides.

Vaksina e Valnevës u zhvillua duke përdorur një teknologji të provuar, të inaktivuar me bazë virusi, ndryshe nga zgjidhja e përdorur nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna.

Valneva kishte treguar në mes të dhjetorit se do të fillonte provat e saj klinike tek njerëzit për vaksinën e saj kandidate kundër COVID-19, tashmë të urdhëruar nga Mbretëria e Madhe.

Një autorizim për hedhjen në treg pritet në tremujorin e katërt të këtij viti.

Komisioni Europian tashmë ka nënshkruar kontrata me kompaninë suedezo-britanike AstraZeneca dhe amerikanët Johnson & Johnson (deri në 400 milionë doza nga secila), dyshja franko-britanike Sanofi-GSK (deri në 300 milionë doza ), dyshja amerikano-gjermane Pfizer-BioNTech (deri në 600 milionë doza), me CureVac gjermane (deri në 405 milionë doza) dhe me Moderna amerikane (deri në 160 milionë doza).

Vetëm vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna kanë marrë dritën jeshile nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) për t’u vendosur në BE.

Rregullatori europian do të shikojë vaksinën AstraZeneca në fund të janarit, tashmë e autorizuar nga Londra./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.