Bankat rritën fitimet në 14.35 miliardë lekë gjatë 11-mujorit 2020

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Bankat tregtare në vend raportuan për rreth 14.35 miliardë lekë, fitim në 11-mujorin e vitit 2020.

Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me një muaj më parë, fitimet e bankave u rrit me rreth 1.75 miliardë lekë.

Faktor me ndikim pozitiv në performancën e bankave është ecuria e mirë e kredidhënies. Për periudhën qershor-nëntor, kredia e re u rrit me 6.3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë sipas BSH-së, fitimi i bankave, shënon rënie gjatë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Kriza e rëndë e COVID-19 detyroi BSH-në të ndërmerrte vendimin për shtyrjen e pagesës së kredisë deri në gusht të 2020, për individët e biznesin në vështirësi financiare, çka ka ndikuar edhe në tkurrjen e rezultateve financiare të bankave tregtare.

Ndërsa faktor tjetër i rëndësishëm që ka tkurrur fitimetme bazë vjetore, ka qenë edhe rritja e provigjioneve në fund të 11-mujorit.

Megjithatë, ky moment i vështirë i ka gjetur sistemin bankar shqiptar të mbrojtur dhe me nivele të larta kapitalizimi për të përballuar situatën e krijuar nga COVID-19.

Sipas BSH-së, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi nivelin optimal 9.9 % dhe  raporti i kredive me probleme u raportua i qëndrueshëm në nivelin 8.2 %. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.