Akulli dëmton fiderin që furnizon disa fshatra në Kukës/ OSHEE: Po punohet intensivisht për rikthimin e energjisë

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) bën të ditur se po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në fshatrat Ujmisht, Gjanë dhe Bushtricë në Kukës.

Sipas OSHEE-së, si pasojë e uljes së temperaturave, në zonat veriore trashësia e akullit ka shkuar mbi 5 cm dhe ka shkaktuar probleme në rrjetin e shpërndarjes.

“Grupet e avarisë së OSSH Kukës janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit në fiderin nr.9 që furnizon me energji fshatrat Ujmisht, Gjanë dhe Bushtricë. Megjithë terrenin e vështirë dhe ngrirjen e përcjellësave si pasojë e akullit, punonjësit e OSSH po punojnë intensivisht për rikthimin e energjisë tek të gjithë abonentët”, bën të ditur OSHEE. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.