Xhaçka takim me ambasadoren Kim: Partneriteti strategjik me SHBA, themeli i politikës sonë të jashtme

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.

Ministrja Xhaçka u shpreh se partneriteti strategjik me SHBA mbetet themeli i politikës sonë të jashtme.

Ajo shprehu kënaqësinë që u konfirmua mbështetja e vazhdueshme dhe e zgjeruar, nga një prej miqve dhe partnerëve më të mirë të Shqipërisë.

“Gjithmonë kënaqësi të takoj ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim. Partneriteti strategjik me SHBA mbetet themeli i politikës sonë të jashtme. Kënaqësi që u konfirmua mbështetja e vazhdueshme dhe e zgjeruar, nga një prej miqve dhe partnerëve më të mirë të Shqipërisë”, u shpreh Xhaçka.

Ndërsa ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi se, gjatë takimit me ministren Xhaçka, “ambasadorja Kim tha se mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me Ministren Xhaçka në rolin e saj të ri, nënvizoi rëndësinë e forcimit të partneritetit tonë diplomatik dhe premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.

Ambasadorja Yuri Kim u takua sot edhe me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

“Gjatë takimit të saj me Ministrin Peleshi, Ambasadorja Kim rikonfirmoi rëndësinë e marrëdhënies midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes, si dhe mirëpriti rritjen e bashkëpunimit përpara “Defender Europe 21”, stërvitjes më të madhe ushtarake të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri krahas forcave të Armatosura të SHBA dhe aleatëve të NATO-s”, theksoi ambasada e SHBA në Tiranë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.