“Sot, ditë e rëndësishme”/ Manastirliu: Vaksinimi filloi me mjekët dhe infermierët, do ketë kalendar të kombinuar

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi në një intervistë televizive se, vaksinimi antiCovid ka nisur me mjekët dhe infermierët dhe më pas me të moshuarit mbi 75-vjeç.

“Është bërë një plan i mirëfilltë i prioritizimit të kategorive të riskuara duke nisur nga mjekët dhe infermierët dhe ju e dini shumë mirë që çfarë rëndësie kanë punonjësit e shëndetësisë, për shkak se janë të ekspozuar. Mos harrojmë që ata janë që na shpëtojnë jetën dhe më pas do të jenë të moshuarit në moshë të madhe pra plus 75-vjeç”, tha ajo.

Manastirliu u shpreh se, “do të jetë vaksinim i kombinuar. Pra sepse përshembull kemi të moshuarit që jetojnë në azile dhe në shtëpitë e të moshuarve dhe ata do të jenë ndër të parët që do të vaksinohen se bashku me mjekët dhe infermierët, bashkë me punonjësit që punojnë për ta, për të ulur çdo risk të virusit të rrezikshëm në shtëpitë e të moshuarve”.

“Logjika jonë është ne do t’i përdorim vaksinat për qëllimin e mbrojtës së kategorive të riskuara dhe më pas shtrirje në të gjithë popullatën. Sigurisht që ka disa elementë që duhen sqaruar. E para me zgjerimin e vaksinimit, dhe fushatës së vaksinimit ne kalojmë në një objektiv që është kufizimi i përhapjes së virusit dhe ky është qëllimi i parë. Mbrojmë kategoritë më të riskuara që janë mjekët dhe infermierët. Faza e parë është faza e mbrojtjes, më pas kalojmë në atë që është ofensiva, pra faza e sulmit për vaksinimin e popullsisë së gjerë”, tha Manastirliu.

“Synimi është që të kemi një mbulesë sa më të gjerë vaksinale dhe të mbulojmë të gjithë popullatën. Sigurisht vaksina të ndryshme kanë dhe target të ndryshme. Nën 16-vjeç përshembull vaksina e Pfizer nuk është e lejuar sipas direktivave të rekomandimeve”, tha Manastirliu.

“Kalkulimi i ekspertëve është që të ecim me një mbulim të popullatës në 100%, sigurisht duke hequr kategoritë e moshave që për vaksinën e Pfizer nuk lejohet vaksinimi. Dhe patjetër që kjo do të vijë sipas një kalendari të shtrirë në kohë”, tha ajo.

E pyetur sesa shqiptarë duhet gjithsej të vaksinohen, Manastirliu tha se, “këtë e vlerësojnë ekspertët. Ne nga COVAX kemi planifikuar 20% të popullatës, pra rreth 568 mijë persona, apo 1.2 milion doza vaksina. Ndërkohë që me Pfizer kemi 500 mijë”.

Manastirliu e ka konsideruar këtë një ndër ditët më të rëndësishme në betejën me COVID-19 duke u shprehur se ekipet e vaksinimit janë një instrument i rëndësishëm në këtë proces. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.