Reshjet e shiut/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Situata e qetë, rritja e nivelit të Vjosës jo problematike

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Situata si pasojë e reshjeve të shiut në qarkun e Vlorës mëngjesin e sotëm është e qetë, ndërsa vihet re një rritje e nivelit të ujit në Vjosë, por që nuk paraqet problem për momentin.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot për ATSH-në se “gjatë natës dhe aktualisht në territorin e qarkut të Vlorës ka pasur reshje me intensitet të ulët dhe mesatar. Niveli i Hidrometrave të Vjosës në orën 20:00 të mbrëmjes së djeshme ishte Përmeti 3 m, Memaliaj 4 m, Ura e Mifolit 5.5 m në orën 07:30 të mëngjesi të sotëm”.

Sipas tij, vihet re rritje e nivelit të ujit në lumen e Vjosës, por që nuk paraqet problem për momentin.

Prefekti sqaroi se shkarkime nga Hec-et nuk ka. Hidrovoret, vijoi ai, janë në gjendje pune dhe nuk ka familje të evakuara për shkak të reshjeve.

Po ashtu, shtoi prefekti Mamaj, shtoi se në qarkun e Vlorës nuk ka banesa dhe sipërfaqe toke të përmbytura.

Sa i përket lëvizjes në rrugët kombëtare dhe rurale, prefekti Mamaj bën të ditur se “nuk ka rrugë të bllokuara. Vazhdon problematik aksi rrugor Himarë-Sarandë në Borsh ku ka rrëshqitje në një aks”.

“Lëvizja kryhet në aksin tjetër, është vendosur sinjalistika dhe monitorohet nga policia dhe kontraktori. Ndërsa në terren janë në gatishmëri forca dhe mjete”, – tha Mamaj.

Ditët e fundit vendi ynë është përfshirë nga reshje të shumta shiu, që kanë sjellë probleme në disa zona të vendit.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.