“Prurjet dy herë më të larta se në vitin 2010”/ Peleshi: Përmbytjet shumë më të ulëta

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha sot në një intervistë televizive se këtë vit, “prurjet kanë qenë dy herë më të larta në krahasim me vitin 2010, ndërsa përmbytjet janë shumë më të ulëta”.

“Kanë qenë disa ditë intensive. Së pari, duhet të përmendin punën e shtabeve bashkiake dhe të prefekturave të ngritura prej disa ditësh, që kur u paralajmërua përmbytja. Ka pasur një bashkërendim shumë të mirë të shtabeve të qarqeve të rrezikuara dhe të prekura të Shkodrës, Dibrës, Lezhës, Fierit, Vlorës, Durrësit, Gjirokastrës dhe Tiranës, ku ka qenë rreziku më i madh dhe prekja më e madhe”, tha Peleshi.

Ai u shpreh se Forcat e Armatosura kanë dyfishuar gatishmërinë para se përmbytja të ndodhte.

Peleshi u shpreh se, “është hera e parë e këtij niveli bashkëpunimi. Shifrat janë jashtëzakonisht optimiste. Sot që flasim kemi goxha frymëmarrje, sepse kemi stabilitet dhe tërheqje të disa lumenjve në shtratin e tyre. Jemi jashtë rrezikut të madh dhe zonave kritike si për shembull, Bushati, Nënshkodra dhe Dajçi, të cilat vitet e kaluara, duke filluar nga përmbytja e vitit 2010, që ka qenë më e madhja dhe në vazhdim, kanë qenë më të rrezikuara dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në familje, në shtëpi, banesa dhe bagëti. Sot që flasim, po ndiqja ndërkohë kryetarin e opozitës që tregonte me gisht një shtëpi me oborrin e vet të përmbytur, natyrisht që nuk është një, nuk janë dy, janë disa dhjetëra të tilla, por ama krahasuar me prurjet që janë dy herë më të larta se në vitin 2010 në basenet tona të kaskadës së Drinit, këto shifra janë fare modeste”, tha ai.

Ministri Peleshi bëri një bilanc paraprak të sipërfaqeve të përmbytura dhe familjeve të evakuuara.

Ai u shpreh se, “janë rreth 8900 ha në të gjithë Shqipërinë të përmbytura sot që flasim. Janë evakuuar rreth 46 banesa. Numri më i madh i banesave të evakuara kanë qenë në qarkun e Lezhës. Forcat tona të Armatosura kanë qenë me prezencën e tyre tokësore dhe Komandën Mbështetëse në zonat më të rrezikuara në Lezhë dhe Shkodër. Kanë ndihmuar në disa evakuime. Kemi pasur për shembull 54 forca efektive në Shkodër dhe 12 në Lezhë. Disa mjete”.

Peleshi tha se pjesa më e madhe e banorëve të evakuuar janë strehuar tek të afërmit.

“Kemi pasur një situata kritike në Lezhë, ku në disa ndërtime informale masivi i dheut poshtë tyre ka rrëshqitur duke i vënë realisht në rrezik. Janë rreth gjashtë objekte. Janë evakuuar të gjithë banorët, janë strehuar tek familjarët e tyre pjesa më e madhe, me përjashtim të një familjeje që është strehuar diku tjetër. Dhe padyshim Instituti i Gjeologjisë ka shkuar, ka bërë vlerësimin dhe aty duhet një ndërhyrje”, tha Peleshi.

“Ndërhyrje duhen plot. Ka disa argjinatura të dëmtuara. Por duhet të them se puna për parandalimin e përmbytjeve e bërë në vitet e fundit, sidomos puna për pastrimin e kanaleve ujitëse-kulluese, apo puna e madhe e bërë për pastrimin e Drinit të Lezhës, ka sjellë një situatë shumë më të vogël përmbytjesh krahasuar me atë që do të ishte në të kaluarën me të njëjtën sasi reshjesh dhe të njëjtën sasi prurjesh në basenet tona”, shtoi Peleshi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.