Moti i keq/ Komiteti Ekzekutiv i FSHF vendos shtyrjen e rifillimit të Kategorisë së Parë dhe të Dytë

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur ditën e sotme shtyrjen e rifillimit të aktivitetit për Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë.

Ky vendim u mor për shkak të kushteve të vështira atmosferike që kanë krijuar problematika të mëdha në infrastrukturën e shumë skuadrave, njoftoi sot zyra për shtyp e FSHF-së.

Vendimi qarkullues i KE-së i është komunikuar Sektorit të Garave në FSHF që menjëherë ka bërë njoftimin e klubeve të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë për shtyrjen e javës së ardhshme të aktivitetit.

FSHF njofton se, situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe klubet do të njoftohen në një moment të dytë në lidhje me rifillimin e aktivitetit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.