Faza e re në kontrollin e pandemisë/ Pika vaksinimi edhe në qytete të tjera të vendit

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh sot gjatë konferencës për planin e vaksinimit se qendra e parë e vaksinimit e përqendruar në Tiranë, nuk do të jetë e vetmja, por do të vijohet edhe me pika të tjera në qytete të tjera të Shqipërisë.

“Kontrolli i pandemisë ka element të rëndësishëm të saj vaksinimin. Vaksinimi i popullatës në përqindje të caktuara sipas asaj që thonë ekspertët dhe nuk e themi ne si politikanë, lidhet me kapacitetet e vendit dhe produktin që vjen. Ne i kemi përputhur të dyja këto dhe brenda muajve që tashmë i kemi thënë edhe në strategjinë tonë, duam që të vijojmë me vaksinimin e grupeve prioritare të cilët janë: mjekët, infermierët, punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit mbi 75 vjeç dhe më tej të gjitha grupet në vijim dhe e gjithë popullata. Nga lloji i vaksinës përcaktohet edhe skenari. Sot jemi me vaksinën ‘Pfizer’. Nëse do të vijojmë me vaksinën ‘Moderna’ apo ‘AstraZenica’, përpjekjet për të cilat po bëhen në të gjitha drejtimet, ashtu sikurse Kryeministri e tha. Lejomëni të them që kjo është një ditë e madhe për ne. Përpjekja e Kryeministrit, fakti që ne sot fillojmë vaksinimin e atyre njerëzve që janë në frontin e parë të luftës, është sukses’’, tha Manastirliu.

“Fillon një erë e re në kontrollin e pandemisë nëpërmjet vaksinimit kundër COVID-19 dhe përpjekjet tona do të jenë maksimale, që procesi i vaksinimit të vijojë duke garantuar siguri në të gjithë procesin e administrimit të vaksinës. Dua ta theksoj këtë gjë, sepse nuk është një proces i lehtë për të ardhur deri në këtë ditë. Përpos vaksinës që është elementi kyç, janë bërë një sëri përgatitjesh duke filluar me ekipet që do të vaksinojnë deri tek elementët e sigurisë së vaksinës që janë thelbësore, në raport me zinxhirin ftohës, ku kapacitetet tona sot ekzistojnë dhe vaksinat sot janë të ruajtura sipas temperaturave që kërkohen, temperatura ultra e ftohtë -70 gradë. Kemi kapacitetet jo vetëm për këtë vaksinë dhe do të vijojmë të zgjerojmë kapacitetet për këtë vaksinë, pra të jemi të përgatitur siç kemi qenë në krye të herës në fakt”, vijoi ajo.

“Nëse do të rikthehemi për të bërë një rezyme 12 muaj më parë, do të shohim që i kemi qëndruar në mënyrë konsekutive çdo strategjie. Kjo është strategjia e katërt që kemi, por çdo strategji ka ecur sipas skenarëve që ne kemi përgatitur dhe nuk e kemi bërë ne, por ekspertët tanë më të mirë, duke u konsultuar me planet më të mira të vendeve të BE-së”, u shpreh Manastirliu.

“Do të vijojmë që të kemi çdo ditë ecuri të procesit të vaksinimit jo vetëm në Tiranë, si qendra e parë e vaksinimit të përqëndruar, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, u shpreh Manastirliu. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.