Transformimi i portit të Durrësit në një port turistik/ Do të jetë një nga marinat më të mëdha në Adriatik

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në Dubai, si pjesë e delegacionit shqiptar për të diskutuar rreth marrëveshjes me kompaninë “EMAAR” për transformimin e portit të Durrësit në një port turistik, deklaroi se ndërtimi i marinës së Durrësit do të jetë një nga projektet më të rëndësishme investuese në Shqipëri.

“Marina do të jetë pa frikë marina më e madhe në Adriatik. Për qytetin e Durrësit do të jetë një ndryshim i madh dhe serioz dhe për qytetarët e Durrësit dhe për qytetarët e Shqipërisë do të jetë një objekt punësimi dhe me mbarimin e projektit, do të jetë një destinacion turistik dhe shembull i një projekti të bërë me kujdes për të gjithë rajonin dhe siç e theksova destinacion do të jetë për shqiptarët jashtë Shqipërisë, italianët, zviceranët, anglezët, francezët, gjermanët”, deklaroi Ahmetaj.

Ne, tha ai, kemi 6.5 milionë vizitorë në një vit normal dhe ky investim ka për ta rritur numrin e vizitorëve dhe numrin e qytetarëve të botës që do të jenë të interesuar të vizitojnë Shqipërinë, të blejnë real estate në Shqipëri.

“Grupi që është i interesuar është një grup shumë serioz që investon globalisht. Dubai ka në rrënjët e veta të gjithë përpjekjen dhe investimin e këtij grupi. Besoj që shtyrja që ne po i bëjmë këtij projekti do ta përshpejtojë edhe fazën e parë të projektit”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, është tipike kur grupe të tilla si grupi “EMAAR” vendosin të investojnë në një vend si ne, tërheqin vëmendje serioze.

Balluku: Kërkuam që terminali i pasagjerëve të qëndrojë në të njëjtin basen

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku foli mbi ndikimin që do të japë zbatimi i këtij projekti në ekonominë e shkallës, ndërsa informoi se është rënë dakord me investitorin që terminali i pasagjerëve të qëdrojë në këtë basen.

“Ky ishte një takim koordinues të cilin ne e kemi nisur në Tiranë”, tha Balluku. Në përfundim të të gjitha fazave, sepse është një projekt i cili do të shtrihet me faza në kohë duke qenë se është investim i madh, theksoi ministrja, totali i investimit do jetë 2 miliardë euro.

“Ky është ndikimi i parë, sepse është një investim, i cili ndikon në ekonominë e shkallës dhe do të preken shumë sektorë si sektori i ndërtimit, i shërbimeve, punësimet do të jenë të shumta, qoftë në fazën e ndërtimit edhe pastaj në fazën e operimit, pasi do të ketë shërbime të shumta të hotelerisë, të restoranteve, pra shërbime nga më të ndryshmet që duhet të shërbenin klientëve të ndryshëm, jo vetëm të hoteleve, por edhe të marinës, fushë shërbimesh që ne në Shqipëri nuk e kemi akoma, kështu që është koha të fillojnë të përgatiten dhe ata që do të ofrojnë këto shërbime dhe nga ana tjetër të mos harrojmë të gjitha ndikimet indirekte në ekonomi për sa i përket zonës së Durrësit, por edhe të të gjithë Shqipërisë”, bëri të ditur Balluku.

Ky projekt, vijoi ministrja, do të shtrihet në të gjithë sipërfaqen e Portit të Durrësit, pa dalë nga korniza e basenit.

Ministrja theksoi se pjesë e bisedimeve ka qenë dhe koncesioni i portit të pasagjerit, pra i terminalit të qytetarëve, duke qenë se është një koncesion që prek qytetarin drejt Italisë apo që kthehen në Shqipëri.

“Qeveria shqiptare, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar që terminali i pasagjerëve të qëndrojë në të njëjtin basen. Sigurisht që, në koordinim me arkitektët e vënë në dispozicion nga grupi i investitorëve, kemi arritur në përfundimin që qëndrimi i këtij terminali dhe i këtij koncesioni në basenin i cili do të kthehet nga porti komercial i Durrësit në Marinën Elitare të Durrësit do t’i shtonte vlera kësaj zone. Lëvizja e udhëtarëve krijon një historik, ngjarje, ka lëvizje ka jetë dhe për më tepër do të lehtësojmë udhëtarët. Udhëtarët duhet të arrijnë në zemër të Durrësit”, deklaroi Balluku.

Sipas saj, porti i ri do të ndërtohet në një zonë industriale ashtu siç duhet të jenë portet, e jo në zemër të qytetit. “Pra, në fund të zonës së Porto Romano dhe si i tillë do ishte e pamundur që ne të dërgonim udhëtarët atje e të mos kishin akses në qytet. Jo të gjithë pasagjerët vijnë për të qëndruar në Durrës, sigurisht lëvizin drejt Kosovës, në Tiranë apo qytete të tjera, por ata duhet të kenë edhe një akses në qendër të qytetit për mjetet e transportit publik dhe gjithçka tjetër. Kështu që e kemi zgjidhur duke i akomoduar sipas rastit”, informoi ajo.

Kompania e investitorëve, konsorciumi i investitorëve, tha më tej ministrja, janë në fazën e dizenjimit të projektit të detajuar.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.