Situata nën kontroll edhe në Obot/ Dëmet minimale në zonën nën nivel, 24 orët e ardhshme më kritiket

 

TIRANË, 10 Janar/ATSH/ Kryeministri Rama inspektoi sot zonën e Obotit të Shkodrës nga ku tha se situata e reshjeve deri në këto momente paraqitet e menaxhueshme.

“Në pikën historikisht më kritike në kohë reshjesh intensive, për shkak të zonës nën kuotë që gjithnjë afektohet nga fryrja e liqenit, por ku sidoqoftë është siguruar qarkullimi me mjetet e ushtrisë dhe furnizimi i banesave me ndihmë ushqimore”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se në 24 orët e ardhshme priten të kenë reshje shumë intensive në zonën e Shkodrës, që krejt ndryshe nga përmbytja e frikshme e janarit 2010, kur me më pak reshje se këtë herë u evakuuan nga banesat mbi 10 mijë njerëz e mijëra krerë bagëti dhe qyteti u bllokua plotësisht nga uji, si rezultat i menaxhimit kriminal të kaskadës së Drinit e i bllokimit total të kanaleve kulluese. “Sot situata vazhdon të jetë nën kontroll dhe dëmet janë minimale, pikërisht sepse është punuar vitet e fundit me zhbllokimin e kanaleve kulluese si edhe menaxhimi i kaskadës po bëhet me profesionalizëm të lartë”, tha Rama.

Gjatë inspektimit, kryeministri u shpreh se “deri në këtë moment, situata është e menaxhueshme”.

“Janë marrë të gjitha masat për një skenar të dytë, për evakuimin e gjësë së gjallë dhe bazës ushqimore. Sasia e reshjeve sipas llogarive të fundit që unë mora nga mbrëmë, është dyfishi i 2010-ës dhe falë të gjithë punës që i është bërë me infrastrukturën kulluese dhe falë administrimit komplet ndryshe të kaskadës së Drinit, që në atë kohë u administrua në mënyrë kriminale dhe Shkodra e gjitha me varka edhe pallatet ishin të izoluar. Jemi në një situatë që mund ta konsiderojmë nën kontroll duke përjashtuar deri tani zonën e Obotit që ka qenë historikisht problem për shkak të nivelit nën ujë dhe për shkak të fryrjes së madhe të liqenit, faktikisht është diçka e paevitueshme”, theksoi kryeministri Rama.

Ajo që thonë parashikimet është që sot gjatë natës do të ketë reshje shumë intesive në këtë zonë, vijoi ai.

“Nga ana e kaskadës nuk kemi për momentin shqetësim dhe vazhdojmë me optimizmin që do të mbahet nën kontroll, që është më e rëndësishmja që të mos ketë shkarkime. Ajo që ka rëndësi është që nuk ka banesa të dëmtuara, s’ka bagëti të dëmtuara dhe lëvizshmëria ka qenë e garantuar. Vazhdojmë aty ku do të kemi bllokime, do fusim forca shtesë, me ushtri, me mjetet e lundrimit për të siguruar që nga një anë askush të mos ketë probleme në rast se kanë nevoja urgjente dhe t’i shkojë ndihma materiale siç kanë shkuar rreth 400 pako dje në destinacion, aty ku ka pasur problematikë dhe kështu do të vazhdojmë”, theksoi Rama.

“Besojmë që 24 orët që kemi përpara janë ato që janë më kritiket pastaj do të shkojë duke rënë kjo barrë e madhe uji. Menjëherë fillon tërheqja e ujit sepse funksionon infrastruktura e kanalizimeve. Kanali i madh që ne kemi hapur që ishte super i bllokuar, madje atëhere kryetari i bashkisë tha që kjo është gjëja më e madhe që është bërë sepse ne këtu përmbytemi rregullisht dhe faktikisht funksionon”, tha ndër të tjera Rama.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Niko Pelshi u shpreh se “kemi rreth 54 trupa të forcave të repartit të Vaut të Dejës në dispozicion, kemi 13 mjete në qark, 2-3 mjete lundruese”.

“Është shumë pozitiv mirëmenaxhimi i kaskadës sepse nga ky menaxhim Fierza punon me dyer të mbyllura, pra me porta të mbyllura dhe ka akoma rezervë që ta kalojmë këtë periudhë reshjesh intesive pa hapur portat e Fierzës. Vau i Dejes ka shkarkime optimale, normale. Ky mirëmenaxhim na ka bërë për të mos patur skenarë ekstremë si ato të vitit 2010”, theksoi Peleshi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.