Si përmbytej zemra e Fierit/ Kur Shqipëria s’kishte një kanal të pastruar nga plehrat dhe mijëra shtëpi zhyteshin në ujë

 


TIRANË, 10 janar/ATSH/ Që prej vitit 2013 kilometra të pafundme kanalesh kulluese janë pastruar vit pas viti si dhe janë rindërtuar dhe riparuar argjinaturat në të gjithë vendin për të paraprirë situatave që mund të krijohen nga reshjet e dendura.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të disa viteve më parë nga zemra e Fierit, ku qyteti shfaqet tërësisht i përmbytur.

Nga pamjet duket qartë mungesa e investimit në infrastrukturën e lumit Gjanica para vitit 2013 dhe shndërrimi pas përfundimit të fazës së parë dhe nisjes së punimeve në fazën e dytë ku parashikohet zgjerimi i shtratit të lumit.

Është parashikuar që shtrati i lumit të jetë me beton, të mos ketë problem me shkarjen e dherave. Skarpatet e tjera do kenë gurë dekorativë. Ky segment është 2 km, që do rehabilitohet ashtu siç ka ndodhur në segmentin e parë

Rama theksoi se Shqipëria s’kishte një kanal të pastruar nga plehrat dhe mijëra shtëpi zhyteshin në ujë, mijëra krerë bagëti ngordhnin e mijëra familje bllokoheshin brenda apo kalonin netë me radhë nëpër palestra shkollash.

“Mirëmengjes, dhe me këto sekonda kujtesë freskuese nga zemra e Fierit (për të gjithë ata të cilëve problematika e derisotme me reshjet intensive nga veriu në jug, u duket si përmbytjet e qametshme të së shkuarës, kur Shqipëria s’kishte një kanal të pastruar nga plehrat dhe mijëra shtëpi zhyteshin në ujë, mijëra krerë bagëti ngordhnin e mijëra familje bllokoheshin brenda apo kalonin netë me radhë nëpër palestra shkollash – çka do kishte ndodhur edhe këto ditë nëse kilometra të pafundme kanalesh kulluese s’do ishin pastruar vit pas viti dhe s’do ishin rindërtuar a riparuar argjinaturat), ju uroj një të dielë të qetë”, u shpreh kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.