Dëme minimale në Vaun e Dejës, simboli i katastrofës së 2010-ës/ Rama: Dallim i kollajtë mes keqmenaxhimit e keqqeverisjes dhe mirëmenaxhimit e mirëqeverisjes

 

TIRANË, 10 Janar/ATSH/ Kryeministri Rama në vijim të inspektimeve për shkak të situatës së përkeqësimit të motit, ndalesën e tij të radhës e pati në Vaun e Dejës.

Rama tha se tek Vau i Dejes mund të shihet, dëgjohet dhe kuptohet qartë situata e kaskadës, si edhe të bëhet fare kollaj dallimi mes keqmenaxhimit e keqqeverisjes dhe mirëmenaxhimit e mirëqeverisjes.

“Fakti është se me superintensitetin e reshjeve të këtyre ditëve, nuk kemi largqoftë 10 mijë njerëz të larguar nga banesat, mijëra e mijëra krerë bagëti të evaukuara, po aq banesa e biznese të dëmtuara si në 2010 në Shkodër, ku edhe qyteti u mbush me varka, po kemi një situatë krejt tjetër, me dëme minimale, edhe pse intensiteti i prurjeve të shiut është dy herë më i lartë se në 2010”, u shpreh ai.

“Këtu simboli i katastrofës është 2010 dhe ia vlen që edhe për njerëzit të bëjmë një krahasim nga pikëpamja e reshjeve dhe situatës”, tha Rama.

“Këtu nuk jemi për politikë por për një hall që është për të gjithë dhe halli më i madh është që të mos kenë pasoja në kaskada për shkak të historisë së hidhur që kanë pasur më parë për shkak të keqmenaxhimit”, shtoi Rama.

“Keqardhje për Lulëzim Bashën që erdhi përgjumësh në Shkodër dhe foli përçart, duke treguar edhe njëherë karakterin e dobët të lidershipit të kësaj opozite fyejsh që bien pa lidhje, në çdo rast fatkeqësie natyrore”, u shpreh Rama.

“2010 ka qenë 2500 metra kub në sekondë në totalin e kaskadës, Fierzë, Koman dhe ka arritur të shkaktojë atë gjendje dhe pjesa e shkarkimeve ka qenë në nivelin 2000 në pjesën e Ultësirës së Shkodrës. Ne kemi pasur para dy ditësh 4200, pra dyfishin e vlerës dhe për arsye që kemi dy muaj që përgatitemi, sigurisht që janë disa kombinime që vijnë dhe kemi arritur që ta mbajmë. Nëse do të ishte shkarkuar 4200, qoftë edhe gjasma në nivelin e saj, sot do të ishte një situatë katastrofike. Kështu që kemi menaxhuar para 3-4 ditësh atë, kemi menaxhuar dje afërsisht 3 mijë dhe kemi arritur sot dhe të presim nesër 3400. Nesër rreth orës 4 të mëngjesit është prapë një prurje tjetër. Kështu që kemi rregulluar, sistemuar këtu 1 metër nivel këtu dhe 2 metra në Koman, rezervë për prurjet e kësaj edhe gjatë natës, pa lëvizuar shkarkimet minimale që kemi. 500-700 është një minimun për ata që e dinë’’ u shpreh Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.