Reshjet e dendura/ Balluku: Mirëmenaxhim si asnjëherë më parë në kaskadën e Drinit, parandaloi përmbytjen në fushën e Shkodrës

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi sot se “është mirëmenaxhuar si asnjëherë më parë situata në kaskadën e Drinit. Ne kemi nisur nga puna që para 10 ditësh. Kemi qenë të përgatitur për të marrë masat e duhura dhe e kemi gjetur padyshim të përgatitur veten dhe sot kaskada ka parandaluar përmbytjen në fushën e Shkodrës”.

Në fjalën e saj, në mbledhjen e Komitetit ndërministror të Emergjencave Civile, ministrja Balluku theksoi se “prurjet në kaskadën e Drinit janë 4290 m3 në sekondë. Totali i shkarkimeve në Vaun e Dejës për momentin është 930 m3, pra 22% e prurjes. Kapaciteti normal maksimal në Vaun e Dejës është 1350”.

“Kuota sot në Fierzë është 277.85 metra, ndërsa para se të ishin reshjet ishin 269 metra. Në Fierzë nuk po gjenerojmë energji për të ruajtur këto kapacitete dhe për të menaxhuar ujin e tepërt dhe përmbytjet në Shkodër. Prurjet momentale në Fierzë janë 2750 m3, ndërsa në Koman kuota ka arritur 174,21 metra, prurjet për momentin janë 950 m3 për sekondë, shkarkimet 684 m3 për sekondë. Ndërkohë që kuota në Vaun e Dejës është 74.14 m, prurjet janë 590 m3 në sekondë, ndërkohë që po shkarkojmë 930m3 në sekondë. Ulëza dhe Shkopeti kanë shkarkime 750 metra kub për sekondë sot në orën 19:00. Për Matin nuk kemi ngarkesë të këtij lumi, ky është lajm i mirë pasi nesër do të kemi reshje më të ulëta”, – nënvizoi Balluku.

Ministrja Balluku u shpreh se “fakti që nesër do të kemi reshje më të ulëta do t’i japë mundësi shtrateve kulluese që të punojnë pasnesër sërish me kapacitete të plota. Reshjet do të vazhdojnë me intensitet 30-40 ml deri në 1 pas mesnate e do të ulen ndjeshëm më pas. Prodhimi i energjisë në kaskadë është rreth 19 milionë KWh në ditë dhe ky është pa dyshim një nivel i lartë i prodhimit”.

Ministrja Balluku u ndal edhe tek akuzat politike të opozitës.

“Kemi ndeshur dhe në akuza politike se nuk kemi informuar popullin. Zëvendësministrat e enegjisë kanë qenë në komunikim direkt. Kemi përdorur televizionet, duke pasur mundësinë që të informojmë publikun orë pas ore për situatën në çdo moment. Falënderojmë OSHEE, KESH, OST-ja, të gjithë kanë qenë në krye të detyrës, që të punonin hidrovoret që të mos kishim ndërprerje energjie, pasi kishim defekte për shkak të motit por që janë rikuperuar”, – tha Balluku.

Sipas saj, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka pasur komunikim të vazhdueshëm me publikun se cilat masa duhen marrë në këto kushte moti.

“Sa i përket akseve rrugore kemi qenë në gatishmëri më shumë në këto 2 javët e fundit. Reshjet kanë sjellë probleme në akset rrugore sidomos në Ultësirën Perëndimore, që lidhen me dalje të ujit në rrugë, rrëshqitje të dherave, por kontraktorët e mirëmbajtjes kanë qenë në gatishmëri nga veriu në jug e nga lindja në perëndim, gjë ka që nuk ka sjellë bllokim të trafikut”, tha Balluku./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.