Në 2050, bota do të ketë mbi dy miliardë 60-vjeçarë

ROMË, 8 janar /ATSH-ANSA/ – Në vitin 2050, planeti do të ketë më shumë se dy miliardë persona mbi 60 vjeç, një realitet që kërkon mbrojtje dhe politika të përshtatshme shëndetësore.

Njerëzit jetojnë më gjatë në të gjithë botën, jetëgjatësia mesatare tashmë është mbi 60 vjeç dhe OBSH vlerëson se deri në fund të dekadës së ardhshme, numri i të moshuarve do të jenë rritur me më shumë se gjysma, duke kaluar kështu nga 962 milionë në 2017 në 1, 4 miliardë në 2030.

Për më tepër, deri në vitin 2050, popullsia e moshuar në botë do të arrijë në 2,1 miliardë dhe pothuajse 80 % e saj do të jetojë në vendet në zhvillim.

Rritja më e shpejtë e personave mbi 60 vjeç pritet në Afrikë, Amerikë Latine, Karaibe dhe Azi.

Në sfondin e COVID-19, duke qenë se të moshuarit, për shkak të ndryshimeve fiziologjike që shoqërojnë plakjen, janë më të prekurit dhe më të ekspozuarit ndaj sëmundjeve, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur periudhën 2021-2030 si “një dekadë për pleqërinë në gjendje të mirë shëndetësore”.

Sipas OBSH, dhjetë vitet e ardhshme duhet të jenë një mundësi për bashkësinë ndërkombëtare që të investojë dhe veprojë në mënyrë të bashkërenduar dhe të qëndrueshme për të promovuar plakjen e shëndetshme./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.