Gonxhja: 757% më shumë mjete të reja elektrike në treg

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Numri i mjeteve elektrike të regjistruara për herë të parë në tregun shqiptar njohu rritje me 757% në vitin 2020, krahasuar me 2019-ën.

Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bëri të ditur se janë 317 mjete elektrike të regjistruara gjatë vitit 2020, ose 280 mjete më shumë se në vitin 2019

Po ashtu, sipas Gonxhes, janë 2,3 milionë lekë që u janë kursyer qytetarëve falë zerimit të tarifave fillestare e vjetore për mjetet elektrike dhe plug-in.

Të ardhurat vjetore në vitin 2020 janë rritur ndjeshëm nga 1.8 milionë në vitin 2019 në 2.3 milionë lekë, duke konsideruar gjithashtu që shërbimi në sportel u pezullua përkohësisht për rreth 4 javë.

Po ashtu, pranë DPSHTRR është ofruar një numër i lartë i shërbimeve risi, ose rreth 80 mijë të tilla në vitin 2020, si ndryshimi i pronësisë së mjetit si OneStopShop në sportelet e DPSHTRR, targat me përzgjedhje dhe souvenir, si dhe certifikimet dhe miratimet për errësimin e xhamave të cilat kanë arkëtuar rreth 200 milionë lekë të reja. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.