“Nuk jemi parti familjare”/ Bushati: PS, e vetmja forcë që punon për Shqipërinë

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati deklaroi sot se “Partia Socialiste që prej vitit 2017, kur ka drejtuar e vetme, ka avancuar më shpejt me reformat dhe ka ditur të përballojë edhe ngjarje shumë të paparashikueshme e të jashtëzakonshme, si tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia”.

“Kemi qenë në një vit të vështirë ku kombinuar me tërmetin e pandeminë ekonomia e shoqëria ishin në një ngërç të jashtëzakonshëm dhe mendoj se ja kemi dalë të vazhdojmë si shoqëri të funksionojmë”, tha ai gjatë një interviste në medie.

Sipas Bushatit, pavarësisht kësaj situate, depresioni në ekonominë tonë ka qenë më i moderuar dhe jo si në disa vende të tjera të zhvilluara, të cilat janë bllokuar 2-3 herë dhe kanë patur një rënie deri në 1/5 e ekonomisë së vitit të kaluar.

“Rindërtimi, shkollat, reformat ekonomike, reforma në drejtësi, apo shëndetësia kanë treguar se Partia Socialiste di të qeverisë dhe të jetë më e zonja se çdo forcë tjetër politike. Dhe në fund të ditës shqiptarët janë aq të vëmendshëm për të kuptuar se kush është e vetmja forcë që punon për Shqipërinë. Nuk jemi as parti familjare a private e as parti e interesave të ngushta se kush do të bëhet kryeministri i radhës”, deklaroi Bushati.

Bushati theksoi ndër të tjera se gjatë vitit 2021 do të ketë një rritje ekonomike të ndjeshme.

“Investimet që do të kryhen në infrastrukturë që janë në një shifër rekord që kalojnë 1 miliard euro, janë një faktor thelbësor që japin besimin se 2021-i do të jetë një vit i kthesës ekonomike. Nëse vazhdojmë me këtë kontroll të nivelit të përhapjes së pandemisë, Shqipëria do të ketë një vit të suksesshëm”, tha ai.

Deputeti socialist vlerësoi edhe punën e bërë nga qeveria për të mbështetur të prekurit nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit.

“Sot asnjë njeri nuk është pa shtëpi, të gjithë e kanë një ndihmë. Kanë filluar ndërtimet në të gjithë rrethet e prekura. Patjetër që ne nuk mund të parashikonim që përveç sfidës së rindërtimit do të ndodhte edhe gjithë ky bllokim për shkak të pandemisë” shprehet Bushati.

Bushati u ndal edhe në zhvillimet politike ku theksoi se sfidë është fitorja bindshëm në zgjedhjet e 25 prillit.

“Ne synojmë 74 deputetë minimalisht në të gjithë vendin edhe në zgjedhjet e këtij viti. E sigurt është që PS do të rikonfirmojë që është forca e parë politike. Si në 2017-n kur vendosëm standardin që një forcë politike fiton e vetme e bëjmë edhe në zgjedhjet e ardhshme, duke marrë një mandat tjetër pune”, tha ai. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.