Nga Balaj te Kumbulla, ja urimet e lojtarëve të Kombëtares për shqiptarët

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ -Lojtarët e Kombëtares shqiptare të futbollit kanë uruar përmes një video mesazhi të publikuar nga FSHF të gjithë shqiptarët, që të kalojnë gëzuar në festën e ndërrimit të viteve.

Bekim Balaj, Marash Kumbulla, Lindon Selahi, Enis Çokaj, Enea Mihaj e Albi Doka urojnë që viti 2021 të jetë sa më i mbarë dhe që të gjithë të dalim sa më parë nga kjo situatë e vështirë që ka sjellë pandemia Covid-19.

“Uroj të gjithë shqiptarët gëzuar dhe për shumë vjet festat e fundvitit. Me 2020-n lamë pas një vit jo pa mundime për të gjithë ne. Uroj që viti 2021 të sjell fat dhe mbarësi në familjet tuaja. Përzemërsisht nga unë Bekim Balaj”, thotë sulmuesi kuqezi.

Ndërsa mesfushori Enis Çokaj uron që të gjithë t’i kthehemi jetës normale: “Dua të uroj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen gëzuar Vitin e ri! Shpresoj të jetë një vit sa më i mbarë për ju dhe familjet tuaja dhe shpresoj që pandemia të kalojë sa më shpejt e t’i kthehemi jetës normale. Gëzuar edhe një herë”, thotë Çokaj.

Mesfushori tjetër kuqezi Lindon Selahi uron që viti 2021 të na rikthejë tifozët në stadium.

Ndërsa Aldi Doka, Marasha Kumbulla e Enea Mihaj shprehin urimin që të dalim sa më parë ky moment i vështirë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.