Aplikantët përfitues të IPARD II/ AZHBR financon paraprakisht 10% të grantit, para nisjes së projektit

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Aplikantëve përfitues të IPARD, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, (AZHBR) i financon paradhënie me 10% të grantit të fituar mbi bazën e kontratës, para fillimit të zbatimit të projektit, ndërsa pjesa tjetër e investimit duhet të financohet nga vetë biznesi.

KY financim vjen në kushtet kur programi IPARD që mbështet me grante investimet në bujqësi, ka si kriter të panegociueshëm realizimin paraprak të investimit dhe IPARD vjen si rimbursues i shpenzimeve të kryera për këto investime.

Financimi paraprak me 10% të vlerës së grantit të fituar, është një pikë mbështetje për bankat që kanë interes të thithin kreditorë, që kanë një përqindje të kthimit të investimit të garantuar nga AZHBR-ja.

Risku që bankat marrin me financimin e kontratave të financuara nga AZHBR, përveç grantit që e kanë të garantuar kanë edhe një dosje të biznesit që është paraqitur tek AZHBR për miratim, e cila mbulon të gjitha pikat që mund të ketë një bankë për procesin e kredidhënies.

Sot bankat tregtare në vend, janë të interesuara për zgjerimin e kretitimit dhe rritjen e portofoleve të kredisë ndaj bujqësisë.

Ndërsa është edhe Fondi i Garancisë i cili është i lidhur me kontrata individuale mes 7 bankave kryesore dhe i siguron atyre kthimet për humbjet e kredisë të dhëna në kuadër të këtij programi.

IPARD është një nxitje për bankat që konsiderojnë këtë sektor me risk më të ulët, pasi siç dihet vetë bujqësia ka risqe që lidhen me paparashikueshmërinë e motit, të tregjeve dhe  prodhimit.

Qeveria shqiptare luan rol të rëndësishëm në bashkëfinancimin me BE, të programit IPARD që adreson financimin më madh, si asnjë herë më parë në këto 30 vjet për sektorin e bujqësisë, me një fond mbi 94 milionë euro.

Aktualisht fermerët po aplikojnë për thirrjen e tretë të Programit IPARD II me vlerë 29.1 milionë euro që mbështet 2 masa: Investimet në fermerë për sektorin e mishit, qumështit, vreshta prodhime në sera dhe sektorin e përpunimit të perimeve. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.