Rindërtimi/ Ahmetaj: Deri në fund të majit asnjë familje në çadër, 1 mijë familje në banesa të reja

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Të gjitha familjet, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti 26 nëntorit do të kthehen në shtëpi të reja.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha sot gjatë një interviste televizive se, deri në fund të muajit maj 2021 nuk të ketë asnjë familje në çadër, ndërkohë që 1 mije familje futen në banesat e tyre të reja, të ndërtuara falas nga shteti.

“Numri i familjeve të strehuara në çadër sot është ulur në 1156 nga 11 mijë familje që ishin në çadra në fillim të nisjes së procesit të Rindërtimit. Çdo javë numri i familjeve në çadra po vjen duke u ulur pasi po ecet me ritme të shpejta në akomodimin e tyre në shtëpitë e reja të ndërtuara falas për ta nga shteti” – tha Ahmetaj.

Ai tha se bonusi i qirasë do të vazhdojë të jepet deri në akomodimin e plotë të këtyre familjeve.

Duke u ndalur në rindërtimin e zonës së Laçit, Ahmetaj infomoi se “kanë nisur punimet në këtë zonë për rindërtimin dhe aty është bërë një spektakël inxhinierik pasi ka pasur vështirësi gjeologjike. Janë futur 2 mijë pilota për të stabilizuar bazamentin. Aty do të ndërtohen 524 apartamente, do të ndërtohet një qendër komerciale e 400 parkime dhe mbi 80 dyqane”.

Në mars do të kemi 160 apartamente të mbyllura dhe në gusht do të kemi të përfunduar komplet sajtin.

Në Kavajë, vijoi ai ka nisur puna për ndërtimin e 7 pallateve dhe sajti i Golemit është bërë gati për themelet. E njëjta gjë po ndodh tek 5 Maji në Tiranë ku po hidhet pllaka e betonit e njëjta gjë po bëhet në Durrës ku po ndërtohen pallate nga FSHZH dhe në Kurbin në Thumanë , në Fushë Krujë dhe Manzë.

Ai tha se nesër vjen në Tiranë menaxheri i Emirateve të Bashkuara ku fillon seleksoni i kompanive për ndërtimin e 2 mijë apartamentave në zonën e Durrësit.

“Në Shijak procesi po ecën me shpejtësi dhe pallatet janë në momente fillestare e shumë shpejt do shohim kolonat e ngritura”- tha Ahmetaj.

“Një vend që ka kaluar në një tunel të errët të tërmetit dhe pandemis sot po e rimer besimin dita ditës për të hyrë në 2021 me më shumë besim dhe shpresë për të ardhmen.
Qytetearët e pyesin veten se kush ju gjend atyre pranë në atë ditë të vështirë tërmeti e kush ju gjend gjatë ditëve të pandemisë. Këto janë pyetje që kanë marrë përgjgigje tashmë”- tgha Ahmetaj.

Ai deklaroi se, “kjo që ka bërë qeveri nuk do të ndodhte në një kuadrat të ndonjë qeverie tjetër. E kemi parë. Nuk u pagua dëmi i përmbytjeve në Shkodër i vitit 2009 e 2012 dhe u paguan nga ne. Sot mbështetja është e prekshme dhe reale për qytetarët”.

“Opozita mund të thotë çfarë të dojë por të arrish të futësh familje në shtëpi të reja brenda vitit pas fatkeqësisë së tërmetit, në një kohë rekord, kjo është kënaqësia më e madhe dhe për mua është puna më e rëndësishme”- u shpreh ministri.

Ai vuri në dukje se në raport me procesin është bërë një punë voluminoze që me mbledhjen e parave, marrëveshjet me grantet dhe sot tha ai, janë aktivizuar të gjitha grantet.

“Brenda vitit dhe qeveria greke që ishte e fundit ka rënë dakort për 2.5 milionë euro, marrëveshja nënshkruhet në janar për ndërtimin e një gjimnazi tek “5 Maji” në Tiranë.
Qeveria nuk mburret me punën që ka bërë, por ama e ndan me qytetarët çfarë ka bërë për të forcuar besimin, që realisht ata e kanë shumë herë më të madhe se dikur, për qeverisnë  për shkak të asaj që ka bërë me Rindërtimin”- tha Ahmetaj.

e.xh./ /j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.