Rindërtimi/ 2.6 miliardë lekë bonus qiraje vetëm këtë vit, do të jepet deri në fund të procesit

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se grantet e donatorëve për Rindërtimin pas tërmetit arrijnë në shumën e 106 milionë USD.

Ai theksoi në një intervistë televizive se, nga kjo shumë janë shpërndarë deri tani 86 milionë USD, ndërkohë që procesi i Rindërtimit po vijon me ritme të shpejta krahas disbursimit të fondeve.

Ahmetaj theksoi se pagesat e kompanive kryhen vetëm pas koalidimit nga supervizorët e objektit.

“Pra, ritmi ka qenë shumë i shpejtë dhe pagesat nuk i bëhen të plota kompanisë deri në momentin kur të koalidohet plotësisht objekti me përfundimin e tij nga supervizorët”- tha ai.

Ahmetaj theksoi se “projekti i Rindërtimit sot është i prekshëm në të gjitha drejtimet e tij, qoftë në programin e njësive individuale, rindërtimin e shkollave, të granteve apo banesave kolektive, që janë lagjet e mëdha ku kemi apartamente apo poliqendra siç është ajo e 5 Majit dhe Kombinatit, në Tiranë dhe e Laçit apo dhe në banesa të pikëzuara që vendosen në bazë të diskutimit me arkitektët se ku do të ndërtohen”

Gjatë një intervistë televizive, ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se, “jemi në një proces të ndërtimit të shtëpive individuale i kombinuar edhe me dhënien e parave të plota për ato njësi individuale që nuk ndërtohen sot duke realizuar kështu deri në fund të muajit maj programin e shtëpive individuale”.

“Më të njëjtën kohë bonusi i qirave do të vazhdojë të jepet. Këtë vit kemi dhënë gati 2.6 miliardë lekë bonus qiraje ndërkohë që dhe ata që kanë jetur në çadra kanë marrë bonus qiraje por për arsye se duan të rrinë afër tokës apo të kujdesen për bagëtinë, kanë vendosur të rrinë në çadra dhe ne e kemi respektuar vendimin e tyre, duke vijuar procesin e Rindërtimit për sistemimin e tyre në baneset e reja”- informoi minisitri.

Ahmetaj solli në vëmendje rastin e Kroacisë ku tërmeti ka qënë edhe në shkallë edhe më ulët se këtu e nuk ka filluar rindërtimi ende apo në Itali ku, sipas tij, para 10 vitesh ka rënë tërmeti dhe vazhdojnë kronikat se sa vonë ka ecur puna.

“Këtë e them për të treguar se sot nuk ka asnjë dyshim çdo qytetar e çdo familje e dëmtuar nga tërmeti se do futet në shtëpi të re falas. Nëse para 1 viti do të kishte skepticizëm sot po prekin shtëpitë individuale dhe banesat e reja” – tha ai.

Ndërsa theksoi se kjo është puna më e rëndësishme që ka bërë në jetën e tij.

/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.