Kantieri i rilindjes së Laçit pas tërmetit ku do strehohen 524 familje/Pol i ri urban, ekonomik e social

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Në Laç ka nisur puna për ndërtimin e 524 apartamenteve nga qeveria turke për banorët e prekur nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë 26 nëntorin e një viti më parë.

Gjatë ceremonisë së mbajtur me këtë rast, ku të pranishëm janë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit të Turqisë, Murat Kurum, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj theksoi se një vit më parë shumë kush e shihte me skepticizëm dhe mosbesim projektin e rindërtimit nga e para të çdo shtëpie, shkolle, kopshti, çerdheje, spitali, objekti publik apo rruge të dëmtuar nga tërmeti.

“Miqtë tanë skeptik i janë referuar edhe traditës së qeverive të mëparshme për mos nisjen e punëve apo lënien rrugëve. Por sot Shqipëria është kthyer në një kantier për rindërtimin në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti dhe të gjithë po e shohin transformimin ditë pas dite”, tha ai.

Ahmetaj tha se lagjja e re në Laç do të jetë një lagje e re shembull ku do të strehohen 524 familje me një infrastrukturë model.

“Lagjja do të jetë një pol i ri urban, ekonomik e social që do të ndryshojë jo vetëm fytyrën e qytetit, por do të krijojë një standard të ri jetese”, tha Ahmetaj.

Sipas ministrit Ahmetaj, projekti i Rindërtimit ka angazhuar brenda një viti 34 miliardë lekë nga të cilat 31 miliardë lekë janë nga buxheti i shtetit dhe 3 miliardë lekë janë donacione.

Ahmetaj bëri të ditur se rreth 290 milionë euro janë angazhuar drejtpërsëdrejti me projekte specifike, ku përfshihet edhe ky i qeverisë turke.

“Do të ndërtohen nga e para 4500 banesa individuale, 1 mijë prej të cilave përfundojnë brenda 31 dhjetorit të këtij viti. 12 mijë familje do të strehohen në apartamente të reja. Rreth 28 mijë familje përfitojnë grante rikonstruksioni. Shuma shkon deri sot 110 milionë dollarë, ndërsa janë shpërndarë te familjet 83 milionë dollarë“, u shpreh ministri.

Po ashtu vuri në dukje ai, janë 158 objekte arsimore që do të rindërtohen në favor të 25 mijë fëmijëve me standardet europiane. Ndërkohë janë 28 kantiere të infrastrukturës publike që kanë filluar apo do të fillojnë së shpejti që prekin 500 mijë banorë.

“Kjo lagje do të mbetet në historinë e qytetit të vendit tonë si simbol i ndihmës së çmuar të një miku në një ditë të vështirë dhe e marrëdhënies së posaçme të dy popujve”, deklaroi ministri.

Në kantierin e rilindjes së Zonës 1 në Laç pas tërmetit, në bashkëpunim me Turqinë po rindërtohen 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve europiane.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.