Ndahet nga jeta profesori i historisë Adem Mezini

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Ndahet nga jeta profesori i njohur i Historisë në Departamentin e Historisë të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Adem Mezini.

Mezini ishte profesor në Fakultetin e Historisë dhe kontribuues në botën akademike.  Profesor Mezini ishte autor i shumë botimeve akademike mbi historinë me dhjetëra tituj të botuar prej tij.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Adem Mezinit.

Meta shprehet se ndihem thellësisht i keqardhur për ndarjen nga jeta të pedagogut veteran të Departamentit të Historisë dhe njërit prej Profesorëve të mi shumë të dashur e të respektuar, Prof. Dr. Adem Mezinit.

“Ndihem me fat, që kam qenë ish-student e mik i Prof. Dr. Adem Mezinit dhe ruaj kujtime të paharruara, jo vetëm për aftësitë e tij të spikatura pedagogjike, por edhe për komunikimin tepër të ngrohtë e njerëzor, si një erudit brilant, i cili rrezatonte kurdoherë mençuri e mirësi dhe që me zërin e veçantë e imponues, na i kthente në leksion jete edhe momentet e qëndrimit me të jashtë auditorëve”, tha ai.

“Ndaj dhimbjen e madhe dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Mezini, të afërmve, gjirokastritëve të Tij të dashur, komunitetit të nderuar të historianëve, si dhe të gjithë brezave të studentëve të edukuar prej Tij! Lamtumirë i dashur Profesor! Të preheni në paqen e merituar dhe i paharruar kujtimi Juaj”, shprehet Meta në mesazhin e tij ngushëllues.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.