100 vjet më parë, Shqipëria anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve/ Meta: Akt unik në historinë e kombit

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/  Si sot, 100 vjet më parë, Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve.

Presidenti Ilir Meta, duke kujtuar këtë datë të shënuar, u shpreh se, “ky akt unik në historinë e kombit tonë, sanksionoi shtetin shqiptar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, por mbi të gjitha përforcoi sovranitetin, rikonfirmoi pavarësinë dhe vendosi garanci për kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913”.

“Mundi, sakrificat dhe luftërat e popullit shqiptar, sidomos përpjekjet diplomatike të patriotëve, kudo ku ndodheshin, veçanërisht të Federatës Patriotike “Vatra” dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Fan S. Noli, u kurorëzuan nëpërmjet këtij akti jashtëzakonisht të rëndësishëm, që e pranoi Shqipërinë, edhe pse të lodhur e të copëtuar nga Lufta e Parë Botërore, si të barabartë mes të gjitha kombeve, me të drejtat dhe detyrimet, që buronin nga anëtarësimi në këtë organizatë”, tha Meta.

Presidenti shprehu, “mirënjohje për kontributin e spikatur të Presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson, i cili nëpërmjet planit të tij prej 14 pikash hodhi themelet e një paqeje të barabartë në Europë, krijimin e konceptit të kombeve me të drejta të barabarta, pavarësisht madhësisë së tyre dhe vizionin për një organizatë të sigurisë kolektive si Lidhja e Kombeve”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.