1 miliard dollarë shkuan në shtëpitë e shqiptarëve përmes zbatimit të taksës progresive

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se qeveria e drejtuar nga Partia Socialiste në këto 7 vite ka patur në fokus qytetarin dhe biznesin e vogël.

“Ne thamë që do të vinim në detyrë për shumicën e shqiptarëve. Çdo kush nga opozita mund të dalë në rrugë dhe tu thotë qytetarëve që po të heqim taksat, dhe qytetari i çuditur i thotë: e kam taksën zero se është fakt. Kjo mazhorancë e ka trajtuar biznesin e vogël si burim të punësimit dhe zhvillimit social”, tha ministri.

Ministri paraqiti të dhëna që sipas tij rrëzojnë pretendimet e opozitës se biznesi i vogël është tkurrur.

“Rëndomtë në terrenin politik të ngjyrosur me emocione boloria politike pretendon se biznesi i vogël vetëm është tkurrur. Dua t’u tregoj se sot janë gati 100 mijë biznese, 3 herë më shumë biznese të vogla se sa në 2013-n”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, tashmë është premtimi i mbajtur ulja e taksës për biznesin e vogël.

“Janë 130 milionë dollarë të kursyera për familjet që bëjnë biznes të vogël në Shqipëri këto 7 vite e 2 muaj” Janë në biznesin e vogël sot të punësuar 151 673 qytetarë nga 57 251 që ishin në 2013. Është 165% rritja e numrit të të punësuarve”, deklaroi ai.

Askush nga ne, shtoi Ahmetatj, nuk ka pretenduar që një betejë me COVID dhe në një rindërtim të plotë nga tërmeti i vitit të kaluar ne të kemi një ekonomi që u rritka me 10%

“Ne ashtu modestisht kemi rikuperuar pothuajse të gjitha vendet e punës që humbëm në 6 mujorin e parë, kjo për shkak të fleksibiliteit të ekonomisë shqiptare por edhe terrenit shumë furnizues me ndihmë nga qeveria me paketat e rëndësishme”, bëri të ditur ai.

Ahmetaj iu rikthye debatit mbi taksën progresive, ndërsa tha se taksa progresive do të mbetet edhe në mandatin e tretë të qeverisë socialiste.

“Kemi patur një flamur e do ta mbajmë edhe në mandatin e tretë që është progresiviteti”, tha ai.

Nëse do të ishit në regjimin e para 2013, të së djathtës ekstreme që punon vetëm për 1% të shqiptarëve, tha ministri Ahmetaj, do të kishit paguar 1 miliard dollarë më shumë vetëm shkak të taksës së sheshtë.

“Janë 1 miliardë dollarë që kanë ardhur në shtëpinë tuaj përmes taksës progresive. Këtu duket qartë se kush e ndihmoi oligarkinë“, tha ai.

Sipas tij, 100 bizneset e mëdha  kanë paguar vetëm 86 milionë dollarë para 2013. “Sot ata paguajnë 395 milionë dollarë. Pra 100 më të mëdhenjtë kanë paguar 460 % rritje. Çdo qytetar e kupton cila është mazhoranca që anon për qytetarin e zakonshëm”, u shpreh ministri.

Më tej, ai theksoi se fondi i pagave është rritur me 56 % duke iu përgjigjur edhe një nga argumenteve të paraqitura nga Presidenti për kthimin e buxhetit për vitin 2021.

“Fondi i pagave vjen i rritur me 56 %. Ishte një nga arsyet për të rrëzuar buxhetin. Fondi i pagave tregon se mjekët e infermierët u vlerësuan në betejën antiCOVOD në dhe sakrificën e tyre njerëzore. Në të njëjtin vlerësim janë edhe mësuesit që ju qëndruan pranë fëmijëve në këto ditë të vështira duke vijuar procesin mësimor”, u shpreh Ahmetaj.

Duke folur për rindërtimin, ministri Ahmetaj bëri të ditur se ka një ecuri pozitive të procesit, ndryshe nga sa pretendon opozita se janë kryer vetëm 2.6% të punimeve.

Nga 100 milionë dollarë grante janë shpërndarë 74 milionë dollarë. Nga 155 shkolla janë ndërtuar  28. Janë gati 1 mijë shtëpi individuale që mbarojnë deri më 31 dhjetor nga 4500 gjithsej”, tha Ahmetaj.

Kjo mazhorancë, shtoi ai, do ta marrë mandatin e tretë për një arsye themelore, se ka përfaqësuar shumicën shqiptare.

“Janë gati gjysma e të punësuarve në sektorin privat që kanë përfituar ndihmë nga shteti gjatë këtij viti”, deklaroi ai. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.