Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj”.

“Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e Ministrit të Brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit”.

“Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë”, theksoi ai. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.