Kombëtarja U-17 njeh kundërshtarët për Europianin

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Në Nion, në selinë e UEFA-s, është hedhur shorti për kualifikueset e Kampionatit Europian 2021 për kombëtaren U-17 të Shqipërisë.

Kuqezinjtë në këtë “Qualifying Round” janë shortuar në Grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

Ndeshjet kualifikuese do të nisin nga 1 korriku 2021 dhe do të përfundojnë në 16 nëntor të po këtij viti.

Janë gjithsej 13 grupe, me nga katër skuadra, ku dy ekipet e para të çdo grupi dhe katër ekipet më të mira të vendeve të treta, do t’i bashkohen Holandës dhe Spanjës në pranverën e vitit 2022. Izraeli, që është edhe vendi pritës, do të shkojë direkt në finalet e turneut, që do të mbahen në maj të vitit 2022.

Në ditët në vijim do të njiheni me datat e sakta të ndeshjeve dhe vendin organizator të këtij raundi kualifikues. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.