Ruçi: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, me vizion e destinacion perëndimor

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti ambasadorin e Polonisë,  Karol Bachura, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri.

Kryetari Ruçi e falenderoi ambasadorin Bachura për kontributin në fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen që Polonia i ka dhënë integrimit europian të Shqipërisë.

Prej vitit 1937, kur janë vendosur marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve e deri më sot, bashkëpunimi dypalësh është forcuar. Gjatë viteve të fundit ato janë fuqizuar edhe nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe organizimin e veprimtarive të rëndësishme të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtar.

“Shqipëria i është mirënjohëse Polonisë për mbështetjen e saj të vendosur për integrimin europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor si edhe për kontributin aktiv për sigurimin e mbështetjes edhe të Grupit të Vishegradit. Ne vlerësojmë vizionin e Polonisë për domosdoshmërinë e integrimit të rajonit në BE dhe për të mos e lënë atë nën rrezikun e influencave joperëndimore. Ju jemi gjithashtu mirënjohës edhe për mbështetjen për rindërtimin pas pasojave të tërmetit të 26 nëntorit dhe ndihmën për përballimin e pandemisë.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ambasadori Karol Bachura e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e bashkëpunimit shqiptaro-polak, si edhe vlerësimin e kontributit të tij si Ambasador në fuqizimin e këtij bashkëpunimi.

Ai vuri në dukje se Polonia dhe Grupi i Vishegradit, si një model i suksesshëm bashkëpunimi, do të vazhdojnë të mbështesin integrimin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe kjo ndihmë do të vazhdojë edhe gjatë procesit të negociatave dhe anëtarësimit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.