Shorti për Botërorin “Katar 2022″/ Reja: Grup shumë i fortë, por ne do të luajmë shanset

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ -Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja e ka cilësuar si shumë të fortë grupin I për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, ku Shqipëria u shortua në një grup me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon.

“Nuk ishim me fat në short, mund them se na ka penalizuar. Anglia është kokë grupi dhe dihej që do të kishim një ekip të fortë, ndaj pranohet. Polonia është shumë e fortë, na ra një nga më të fortat në vazon e dytë. Hungaria tani po bën shumë mirë, është një skuadër shumë në formë. Shpresoja të ishim në grup tjetër, na përshtateshin më shumë Danimarka e Kroacia. Gjithsesi, do të luajmë shanset tona me të gjithë, edhe pse duhet ta them se kemi pak shanse për vendin e dytë. Me San Marinon dhe Andorrën i llogaritin të gjithë pikë të plota dhe nuk ka nevojë për shumë komente”, u shpreh trajneri Reja, i cili gjithashtu zbuloi se ishte planifikuar një ndeshje miqësore me Hungarinë dhe tani duhet të mendohet për një kundërshtar tjetër.

“Ndaj Hungarisë është e pamundur të luajmë miqësore, siç e kishim planifikuar, shpresojmë të gjejmë zgjidhje tjetër për në qershor. Skuadra është në rritje. Shpresoj të kemi kondicionin fizik të duhur. Ne do provojmë gjithçka. Shpresoj që deri në mars pandemia të ketë mbaruar dhe të kemi tifozë në stadiume, pasi me ata në stadium mund të bëjmë paraqitje edhe më të mira dhe mund të kemi më shumë shanse, sepse na japin një karikim ekstra. Duke parë grupin nuk është se nuk do të provojmë shanset tona, do të japim gjithçka. Nëse kapim vendin e tretë do tregojmë se kemi rritje. Sidoqoftë, këto ndeshje do të na japin shumë eksperiencë. Nëse nuk ia dalim të kualifikohemi në Botëror, atëherë do mundohemi të jemi gati për kualifikueset e Europianit 2024. Për koincidencë, sot votova Robert Levandovskin si lojtarin më të mirë dhe uroj të mos jetë në formë kur Polonia të luajë kundër nesh”.

“Pres që lojtarët të vijnë në rritje gjatë kësaj periudhe. Në ndeshjet e fundit kemi bërë paraqitje të mira dhe treguam rritje, pavarësisht pikëve që kemi marrë. Kemi bërë mjaft paraqitje mjaft të mira, mund të kishim edhe më shumë pik, por tani nuk mund të ndryshojmë dot gjë. Nevojitet kondicioni i duhur fizik për të bërë paraqitje të mira. Shanset i kemi aty, është një grup i fortë e përsëris. Jam i bindur se do të bëjmë ndeshje të mira me të gjitha ekipet. Meraku im është që të jenë në kondicionin duhur fizik kur të vijnë ndeshjet. Ndaj këtyre skuadrave duhet gjendje e mirë fizike, shpejtësi dhe saktësi në ekzekutim para porte. Nëse ndodh kjo, atëherë mund të bëjmë ndeshje të mëdha. Në Kupën e Kombeve kemi gabuar kundër Lituanisë. Nëse nuk gabonim, atëherë mbase do të kishim më shumë shanse për një vend në play-off përmes renditjes finale të Ligës së Kombeve”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.