ROMË, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qeveria e brishtë e koalicionit italian rrezikon një krizë të re javën e ardhshme, për shkak të ndarjeve midis partisë kryesore në pushtet, lëvizjes populiste “Pesë Yjet” (L5Y), mbi politikën e unionit për Mekanizmin Europian të Stabilitetit (MES).
Gjatë kësaj jave, 58 ligjvënës të L5Y-së nënshkruan një letër duke kërkuar që qeveria të tërheqë mbështetjen nga një reformë e fondit të shpëtimit të zonës euro, e quajtur ndryshe Mekanizmi Europian i Stabilitetit (MES).
Ndryshimet u miratuan të hënën nga ministrat e Financave të zonës euro dhe krerët e BE pritet të konfirmojnë marrëveshjen në një samit, që do të zhvillohet nga 10-11 dhjetori në Bruksel.
Të dy dhomat e parlamentit italian janë planifikuar të zhvillojnë një votim më 9 dhjetor duke i dhënë indikacione kryeministrit Giuseppe Conte për mbjatjen e një linje në samit.
Conte do të kishte një situatë të paqartë politike nëse mocionet që mbështesin marrëveshjen e reformës MES nuk arrinin të fitonin mbështetjen parlamentare për shkak të L5Y-së.
“Unë nuk kam frikë nga kjo”, i tha Conte gazetës “La Repubblica”.
“Nëse qeveria do të humbte për një çështje të tillë do të ishte e natyrshme që kryeministri të jepte dorëheqjen. Qartazi, do të ishte fundi i një cikli”, i tha ish-kryeministri Matteo Renzi gazetës “La Stampa”.
MES-i është një politikisht toksike në Romë sepse pjesë të L5Y-së dhe opozita e krahut të djathtë e sheh atë si një mjet përmes të cilit BE-ja mund të imponojë masa shtrënguese në vendet me shumë borxhe si Italia./ /ec/