Xenon zbulon dëmtimin e mushkërive deri në tre muaj pas infektimit me Covid-19

LONDER, 4 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Shërimi nga Covid-19 nuk është një rrugë e lehtë, pasi kontraktimi i virusit në mënyrë simptomatike mund të ketë pasoja, veçanërisht në nivelin pulmonar.

”Kjo jo vetëm te pacientët e shtruar në spital dhe që i nënshtrohen terapisë”, shkruhet në faqen e internetit vanityfair.it.

Kjo është konfirmuar plotësisht nga një studim mbi 10 pacientë i kryer nga Universiteti i Oksfordit, që përdori një teknikë të re skanimi për të identifikuar dëmtimin e mushkërive, që nuk zbulohet nga skanimet konvencionale.

Hetimi përdori gazin e quajtur Xenon që thithet nga pacientët që i nënshtrohen rezonancës magnetike, në mënyrë që të nxjerrë në pah imazhet e dëmtimit të mundshëm të mushkërive.

Kjo teknikë ka marrë miratimin nga ekspertët, pasi është një test i aftë për të zbuluar dëmtimet afatgjata dhe bën një ndryshim të madh për pacientët Covid.

Profesori Fergus Gleeson, i cili është duke udhëhequr punën, provoi këtë teknikë skanimi në 10 pacientë të moshave midis 19 dhe 69 vjeç.

Tetë prej tyre kishin lodhje të vazhdueshme tre muaj pasi u sëmurën me koronavirus dhe skanimet konvencionale nuk gjetën probleme në mushkëri.

Ndërsa skanimet e reja me Xenon treguan shenja të dëmtimit të mushkërive në tetë që raportuan probleme respiratore, duke theksuar zonat ku oksigjeni nuk shkonte lehtë në gjak.

”Qëllimi është që të punojmë me mjekë të kujdesit parësor për të skanuar njerëzit që kanë rezultuar pozitivë për Covid-19 në grupe të ndryshme të moshës”, shtoi ai.

Mendimi i shkencëtarit është se ”dëmtimi i mushkërive i identifikuar nga skanimet Xenon mund të jetë një nga faktorët e ashtuquajtur ‘Covid i gjatë’, gjendja që i sheh subjektet e infektuara të sëmura për disa muaj pas infektimit. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.