Shqiptarët kryen 5 milionë pagesa me kartë në terminalet POS

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Shqipëria po vijon të zgjerojë shërbimet bankare, sidomos në fushën e pagesave POS, të cilat janë instrumente që përdoren për të përpunuar transaksionet që kryhen me kartë debiti ose krediti.

Kur përdoret terminali POS, të gjitha transaksionet e kartave përpunohen elektronikisht, duke shmangur kështu përdorimin e parasë cash.

Këto pajisje i përdorin njësitë e shitjes së mallrave dhe shërbimeve për pagesat me kartë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, shqiptarët kryen mbi 5 milionë pagesa me kartë në terminale POS, për një vlerë totale prej 26.2 miliardë lekësh. Ndërkohë që bankat po rrisin zgjerimin e këtyre terminaleve, duke i dhënë lehtësi biznesit në transaksione dhe formalizim të ekonomisë.

Shërbimi i pranimit të pagesave me POS-e ofrohet nga 7 prej 12 bankave tregtare të licencuara, bën të ditur BSH-ja. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.