Pistoleta e Sean Connery në filmin e James Bond shitet për 256 000 dollarë

KALIFORNI, 4 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një pistoletë e përdorur nga Sean Connery në filmin e parë të James Bond u shit në ankand për 256 000 dollarë.

Pistoleta Walther PP u shfaq në filmin 1962 “Dr. No” dhe u përdor nga Connery në filmin e tij të parë ku ai luajti rolin e një agjenti sekret, 007.

Ankandet e kompanisë ”Julien” në Beverly Hills kishin vlerësuar se do të shitej për 150 000 deri në 200 000 dollarë.

Blerësi vendosi të mbetet anonim, por shtëpia e ankandit tha se ”ai ishte një amerikan që ka parë të gjithë filmat e Bondit”.

Connery vdiq në tetor në moshën 90-vjeçare në Bahamas.

Ai ishte aktori i preferuar Bond i shumë fansave. Ai luajti spiunin britanik shtatë herë midis 1962 dhe 1983.

Më shumë se 500 sende relike të Hollivudit u shitën në ankandin “Icons & Idols”, i cili përfshinte kostume dhe sende nga yje të tillë si John Wayne, Marilyn Monroe, John Travolta, Greta Garbo dhe Elizabeth Taylor./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.