TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Shefja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, gjatë një komunikimi me median deklaroi se testi i antigenit është 100% efektiv dhe do të forcojë kapacitetet aktuale për hetim epidemiologjik, pasi përgjigjja del në kohë reale rreth 30 minuta.
Bino sqaroi se ka nisur tashmë trajnimi për përdorimin e testimit të shpejtë i cili është konfirmuar nga OBSH dhe aprovuar nga Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Ushqimeve në SHBA.
“Testi i shpejtë identifikon antigenin, mund të ketë edhe teste të tjera të testeve të shpejta por nuk identifikojnë antigenin. Pra, kjo është e rëndësishme. Ky test përdoret për qëllime diagnostifikuese. Ajo çfarë është e rëndësishme tjetër është se ky test duhet të kryhet atëherë kur kemi një ngarkesë virale të lartë, brenda 5 ditëve të para të sëmundjes. Nëse do të kemi një person përtej 5 ditëve të para atëherë do të bëhet testi PCR. Ka një efikasitet gati 100%”, – theksoi Bino.
Kjo, vijoi Bino, e afron atë me PCR dhe nuk ka nevojë të përsëritet.
“Përgjigjet merren brenda 30 minutave dhe kjo është një lehtësi shumë e madhe për hetimin epidemiologjik në kohë reale. Po kryhen trajnime në lidhje me testin, i cili është i njohur nga OBSH dhe i aprovuar nga Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Ushqimeve në SHBA”, informoi Bino./k.s/j.p/r.e/