FOTO/ Investimet në teknologjinë bashkëkohore, vlerë e shtuar në prodhimet e sipërmarrjes në industrinë e qumështit

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Mbështetja me subvencione dhe politika fiskale lehtësuese i kanë dhënë një hop të ri zhvillimit të industrisë së përpunimit të qumështit në Shqipëri.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi solli në vëmendje shembullin e prej sipërmarrjeve të suksesshme në industrinë e qumështit, që sot furnizon të gjithë tregun vendas me qumësht dhe nënproduktet e tij, konform standardeve më të mira të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
“E nisur si një biznes familjar në vitin 1992  nga çifti i bashkëshortëve të palodhur Antoneta dhe Arbeni të ndihmuar më vonë edhe nga djemtë e tyre të arsimuar cilësisht, Luisi dhe Franci, sot kompania ka arritur një pozicion shumë të rëndësishëm në treg për përpunimin e qumështit  dhe nënprodukteve të tij”, shprehet Shalsi.
Gjatë vizitës në këtë sipërmarrje, Shalsi vuri në dukje se, investimet në teknologjinë bashkëkohore me lider botëror të markave më të mira i kanë dhënë një vlerë të shtuar prodhimeve nga kjo kompani.
“Investime të vazhdueshme vit pas viti në makineri për të gjithë linjën e përpunimit (tashmë vetëm automatike) dhe paketimit, duke pasur bashkëpunime me kompani të mirënjohura si “Priamo”, pjesë e grupit “Della Toffola” për përpunimin, “TetraPak” për paketimin dhe së fundmi solli paketimin “TetraTop”, më i sigurti në botë për produktet e freskëta”, shprehet Shalsi.
Ndërsa një rëndësi veçantë i kushtohej kontrollit të cilësisë së produkteve që nga faza e marrjes tek fermerët deri në produktin përfundimtar, duke i konsideruar fermerët si pjesë e rëndësishme e zinxhirit të prodhimit, për të cilët ofronte edhe asistencë teknike dhe veterinare.
Nga rreth 2500 ferma që sjellin qumështin, 700 prej tyre janë ferma mesatare, ndërsa dy janë edhe fermat më të mëdha në rajon, kjo kompani është shndërruar edhe në lobuesin dhe garantin bankar të fermerëve të saj, për të përfituar kredi me interesa të ulëta.
Sfidë për kompaninë është rritja e standardeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, si kushte bazë për të çuar produktet “Made in Albania” edhe në tregjet e huaja.
Ministri parashtroi diferencën në taksim blerje/shitje si një çështje që meriton të analizohet e të zgjidhet sa më mirë.
“Diskutimi mbi raportin e diferencës në taksim blerje/shitje në 20% /6 %, ishte një çështje që meriton të analizohet e të zgjidhet sa më mirë”, tha ministri Shalsi. /a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.