Duka: Organizimi i finales së “Conference League” në Tiranë do jetë i shkëlqyer

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi sot një video-konferencë me gazetarët pas vendimit historik të UEFA-s, që ia besoi qeverisë së futbollit shqiptar pritjen e finales së parë të turneut më të ri për klube “Conference League”.

Në fillim të këtij bashkëbisedimi Presidenti Duka tha se, ky është një lajm shumë i rëndësishëm, jo vetëm për futbollin, por për të gjithë Shqipërinë, teksa shpjegoi edhe procesin e gjatë që është ndjekur që nga aplikimi e deri te plotësimi i të gjitha kritereve që duhen për të bindur UEFA-n të marrë në vendim të tillë.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi edhe të gjitha autoritetet dhe institucionet vendase që ndihmuan në këtë arritje të madhe.

“Për ne ky është një lajm i rëndësishëm dhe jo vetëm për ne, jo vetëm për futbollin por për të gjithë Shqipërinë. Sjellja e një finaleje të kompeticionit europian në Shqipëri nuk është vetëm një benefit i stadiumit “Air Albania”, nuk është një e mirë për futbollin shqiptar, është një e mirë për të gjithë Shqipërinë”, tha Duka.

“Është një lajm pozitiv që uroj t’i hapë rrugën lajmeve të tjera pozitive për Shqipërinë, pasi jo vetëm në periudhën që po kalojmë, e cila edhe tani na detyron që mos të jemi fizikisht për të komunikuar me njëri-tjetrin, por në mënyrë virtuale, por edhe për të gjithë peripecitë që kemi kaluar. Jo vetëm tërmetin e nëntorit 2019, por edhe të gjithë peripecitë që ne kemi kaluar për të ardhur deri këtu”, u shpreh ai.

“Mendoj që është një lajm i mirë dhe bën mirë për Shqipërinë në përgjithësi dhe për Tiranën në veçanti. Rruga për të ardhur deri në organizimin e kësaj finaleje apo në arritjen e këtij vendimi të djeshëm të Komitetit Ekzekutiv, nuk ka qenë një gjë e lehtë. Nuk ka qenë një gjë që ndodhi në një mbledhje apo në një mini-lobim për të votuar këtë apo atë, por ka qenë një përgatitje serioze e Federatës, e administratës së saj, e grupit të punës që është marrë më përgatitjet”, theksoi Duka.

Ne, shtoi presidenti i FSHF-së, “nuk kemi përgatitur apo aplikuar për herë të parë një garë për të organizuar një finale. E kemi bërë këtë edhe më parë, për finalen e Superkupës së Europës, në të cilën nuk ia kemi dalë. Kemi rivazhduar prapë, kemi plotësuar thuajse të gjithë kriteret. Kemi pasur padyshim edhe dashamirësinë e administratës së UEFA-s për të na ndihmuar dhe është miratuar dje nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që finalja e Europa Conference League të jetë në Tiranë”.

“Është kompeticion i ri, është hera e parë që zhvillohet në histori. Kjo na bën ta pëlqejmë akoma edhe më shumë, sepse do të jetë historike që finalja e parë e këtij kompeticioni u bë në Tiranë. Kompeticion në të cilin do të marrin pjesë të gjithë skuadrat e Europës, të niveleve jo të Champions League apo Europa League, por gjithsesi formula është e tillë që mund të ketë dhe skuadra të mëdha brenda dhe për të shkuar në finalen e 2022 në maj në Tiranë”, tha Duka.

“Unë jam i sigurt dhe dua t’iu garantoj juve, publikun dhe të gjithë që ne jemi të aftë dhe do ta organizojmë shumë mirë këtë finale. Kemi një partneritet shumë të mirë me autoritetet vendore dhe qendrore të qeverisë shqiptare. E kemi pasur këtë edhe në përgatitjen e dokumentacionit, na janë përgjigjur me shpejtësi. Do ta kemi edhe në organizim sepse organizimi i ndeshjes nuk do të thotë thjesht organizimi i 90 minutave të lojës, por fillon që nga aeroporti, infrastruktura, transporti urban nëpër qytet, hotele, etj., me radhë. Unë besoj se ne do t’ia dalim, do ta bëjmë shumë mirë dhe do të rikonfirmojmë edhe njëherë që Shqipëria e futbollit është pjesë e Europës”, tha Presidenti Duka.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.