Rindërtimi/ 470 kompani të angazhuar dhe 25 mijë të punësuar

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se në procesin e rindërtimit janë 470 kompani që janë të përfshira dhe 25 mijë punëtorë që ndërtojnë shkolla, banesa individuale dhe kanë filluar ndërtimin e pallateve.

I ftuar në një studio televizive, Rama u ndal në aksesin që kanë në financimet publike kompanitë në vend. Sipas tij, në vitin 2013 kompanitë nuk kishin këtë akses që kanë sot në financimet publike.

“Sot në Shqipëri nuk ka asnjë kompani ndërtimi që ekziston që nuk ka marrë pjesë në procesin e rindërtimit”. Shikoni se sa taksa paguanin “oligarkët”më parë dhe sa paguajnë sot. Ata paguajnë më shumë taksa. Merrni shikoni sa akses kanë pasur më parë në raport me të tjerë “oligarkët” dhe do të shikoni se zgjerimi i kompanive është eksponencial krahasuar me të shkuarën”, tha Rama.

Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se në 2013 në Shqipëri ka pasur 39 mijë biznese të vogla, ndërsa sot ka afro 100 mijë”.

“Janë afro 3 mijë biznese më shumë sot krahasuar me janar 2020. Shikoni regjistrat e shtetit”, tha Rama.

Po ashtu, Rama përmendi zerimin e taksave për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit dhe zerimin e Tatimfitimit për biznese deri në 100 milionë në vit”.

Ai tha po ashtu se “sot që flasim ka 133 kantiere punë për ujin drejt përfundimit dhe që janë bërë me faza punimet dhe puna ka filluar që në 2014”.

“Rreth 600 mijë njerëz që deri dje paguanin, ndërsa sot i marrin ilaçet falas, theksoi më tej Rama duke shtuar se “shëndetësia falas është një program që sigurisht nuk realizohet brenda një mandati”.

Sot që flasim, tha ai, “kemi një sërë elementësh që janë pjesë e një tërësie drejt së cilës po ecim hap pas hapi”.

Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi shërbimin e okulistikës falas për të moshuarit. Ai tha se janë mbi 12 paketa falas dhe ka një ndryshim të rëndësishëm në këtë aspekt.

Kryeministri foli edhe për koncesionet e kryera në kohën e PD-së, ndërsa shtoi se “brutaliteti i koncensionit të skanimit në dogana edhe për mjete që nuk skanoheshin dhe duhet të paguanin tarifë ka qenë i tmerrshëm dhe ne nuk e kemi gjetur në asnjë vend të botës, veç një rasti në Amerikën Latine”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.