PD, Çupi: Një vit pas tërmetit nuk ka asnjë shenjë për rindërtimin e spitalit të Laçit

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi është shprehur sot se, “një vit pas tërmetit, nuk ka asnjë shenjë të spitalit të Laçit, rindërtimi i të cilit duhet të kishte përfunduar në qershor”.

“Tërmeti i një viti më parë la gjurmët e veta të shkatërrimit në qytetin e Laçit. Prej atëherë, asgjë e mirë nuk ka ndodhur për qytetarët. Ata vazhdojnë të enden shtëpive me qira. Sipas gjasave, godinat nuk kanë shans të ndërtohen edhe për 2 vjet të tjera”, tha ajo.

“Ajo që i vë vulën dështimit të qeverisë me procesin e rindërtimit është spitali i Laçit. Sipas premtimit të Edi Ramës një vit më parë, spitali sot duhet të ishte në punë. Por në të vërtetë, realiteti nga premtimet mashtruese të kryeministrit në ikje është shumë ndryshe”, tha Çupi.

Në vend të spitalit, shtoi ajo, “këtu ka një grumbull inertesh. 50 mijë banorë të zonës së Kurbinit dhe përreth, degdisen në Lezhë”.

“Gratë, fëmijët, të sëmurët e tjerë të zonës së Kurbinit nuk e meritojnë të vuajnë pasojat e një qeverie të korruptuar dhe të paaftë për të zgjidhur problemet e qytetarëve”, theksoi Çupi.

“Çdo ditë që na qeverisin është një ditë e shkuar dëm, është një vjedhje më shumë, një shpërfillje më shumë, një jetë e humbur më shumë”, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.