Marrëveshja e huasë me BERZH/ Denaj: Modele të zhvillimit ekonomik lokal të udhëhequr nga turizmi

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Qeveria shqiptare po synon rritjen e investimeve në sektorin e turizmit me qëllim shtimin e destinacioneve çka sjell më pas më shumë shpenzime nga ana e turistëve, kohëzgjatjen e sezonit turistik, mundësi punësimi për popullsinë lokale dhe të ardhurat në zonat e synuara.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi në seancën plenare të Kuvendit marrëveshjen e huasë me BERZH për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në vendin tonë.

Sipas ministres, shuma totale e financimit të programit është 100 milionë euro, nga ku 40 milionë euro grant dhe 60 milionë euro hua.

Programi, tha ajo, do të zbatojë dhe do të testojë modelin e zhvillimit ekonomik lokal të udhëhequr nga turizmi në territoret e bashkive Fier, Berat, Shkodër e Korçë.

“Investimet që do të mbulohen nëpërmjet huasë do të synojnë kryesisht ndërhyrjet për përmirësimin e aksesit e të qëndrueshmërisë më të madhe të trashëgimisë kulturore, të pasurive natyrore, si dhe përmirësimin e infrastrukturës”, tha Denaj

“Qytetarët e Lurës do të kenë së shpejti një rrugë të rehabilituar. Qytetarët e Fierit do të shohin investime në zonën bregdetare të Fierit, Darëzezës, në bregdetet e lumit Seman e Vjosë, rehabilitim të zonës së Apolonisë, duke e lidhur këtë të fundit edhe me Bylysin. Në Shkodër do të mundësojmë një ndërhyrje të integruar në zonën e liqenit, në Shirokë dhe në Zogaj, duke mos harruar investimet në kalanë e Rozafës dhe muzeun e Arteve të Bukura. Në Berat do të ketë një vëmendje në përmirësimin e ofertës turistike malore në Parkun e Tomorrit, si dhe investime të integruara në kalanë e Beratit. Në Korçë do të përqendrohemi në përmirësimin e ofertave kulturore rreth qytetit si dhe ato malore, duke konsoliduar një ofertë të integruar turistike për rajonin duke parashikuar nisma, si restaurimin e manastirit të Shën Prodomit, dhe Shën Marisë në Voskopojë, muzeun e Boboshticës dhe do të kemi gjithashtu rehabilitimin e rrugës Ersekë-Përmet”, tha Denaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.