Zelanda e Re shpall emergjencën për ndryshimin e klimës

UELLINGTON, 2 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qeveria e kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern shpalli emergjencën për ndryshimet klimatike.

Deklarata u bazua në gjetjet e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës, sipas të cilit emetimet globale duhet të ulen në mënyrë drastike për të shmangur ngrohjen mbi 1,5 gradë Celsius.

Zelanda e Re bashkohet me 32 vende të tjera, përfshirë Kanadanë, Francën dhe Britaninë e Madhe, të cilat kanë shpallur një emergjencë klimatike.

“Kjo është një deklaratë e shkencës. Kjo deklaratë është një njohje për brezin e  ardhshëm. Një njohje e barrës që ata do të mbajnë nëse nuk veprojmë tani”, iu drejtua Ardern parlamentit.

Hapi simbolik u ndërmor në të njëjtën kohë kur qeveria njoftoi se do t’i kërkonte sektorit publik të arrinte neutralitetin e karbonit deri në 2025.

”Agjencitë duhet të masin dhe të raportojnë publikisht mbi emetimet e tyre dhe të kompensojnë ato që nuk mund të shkurtojnë”, njoftoi Ardern në një deklaratë.

“Kërkesa që sektori publik të jetë neutral i karbonit brenda pesë viteve nxjerr në pah angazhimin e qeverisë për udhëheqjen e ndryshimit të klimës dhe urgjencën e veprimit të kërkuar”, shtoi ajo. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.