Talenti shqiptar/ Delma Muça: Po ndjek ëndrrën, vajzat e futbollit po thyejnë barrierat

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Për Delmën, aventura në lojën e bukur të futbollit ka nisur që kur ajo ka qenë e vogël. E lindur në një familje tifozësh futbolli dhe me një xhaxha, i cili pa tek ajo cilësitë e një futbollisteje të ardhshme, Delma sot e gjen veten pjesë të ekipit të sapokrijuar kryeqytetas të Partizanit.

Një nga ëndrrat e saj ka qenë të luajë me Kombëtaren shqiptare të futbollit dhe tashmë që e ka realizuar, është vënë në ndjekje të realizimit të ëndrrave të radhës. Në mesazhin e saj për vajzat, ajo nuk lë jashtë veten e saj, duke kërkuar që të bindin të gjithë paragjykuesit se futbolli nuk është vetëm për meshkuj.

Në një intervistë ekskluzive për rubrikën “Talenti Shqiptar” në Fshf.org, Delma tregon gjithçka, nga momenti se si u bë pjesë e futbollit, deri te ftesa për të qenë pjesë e Kombëtares.

“Në familjen time flitej gjithmonë për futboll kur unë isha e vogël. Ata ishin shumë tifozë dhe unë jam rritur duke parë gjithë kohës ndeshje futbolli. Kështu kanë nisur shkëndijat e mia të para me futbollin derisa fillova të shkoja dhe të ndiqja edhe vetë stërvitjet e kushërinjve të mi dhe të filloja të luaja edhe vetë. Që e vogël kam arritur të kuptoj se Zoti më ka dhënë diçka për të cilën unë i jam falënderuese vërtetë. Ai më ka dhënë futbollin”, tregon ajo kur flet sesi lindi pasioni për futbollin.

Ajo shprehet se njeriu i parë që e afroi me këtë sport dhe besoi tek ajo, ishte xhaxhai i saj.

“Xhaxhai im e ka ndjekur futbollin, që në vegjëlinë e tij dhe është nga të parët persona që ka besuar tek unë dhe që më ka regjistruar në një ekip femrash. Duke qenë një njohës i mirë i futbollit, ai e dinte mirë se çfarë cilësish duhet të kishte një futbollist dhe këto cilësi i gjeti tek unë teksa më shikonte që luaja me pasion. Familja ime padyshim që ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në jetën time futbollistike, madje dua të shtoj se im atë është një nga tifozët e mi më të mirë e më të çmendur, i cili më ndjek në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Ai më shtyn të kaloj çdo limit dhe të jap më të mirën time”, rrëfen ajo.

Për marrëdhënien me grupin dhe trajnerin Muça thotë se, “çelësi që një ekip të funksionojë dhe të ketë sukses është që grupi të jetë harmonik. Marrëdhënia që ne vajzat kemi me njëra-tjetrën apo qoftë edhe me stafin e ekipit është shumë e mirë. Përpiqemi në çdo moment të respektojmë punën e njëra-tjetrës dhe jemi bashkë në çdo kohë, me një qëllim të vetëm, që të arrijmë ato objektiva që i kemi vendosur vetes në fillim të sezonit”.

Sa i përket momentit kur mori ftesën e parë nga Kombëtarja, ajo thotë se, “çdo futbollist, mendoj unë, kur nis karrierën e tij, ka si qëllim kryesor të përfaqësojë edhe ngjyrat e kombit të tij. Ideja që do të luaja për ngjyrat kuqezi një ditë, ishte një nga ëndrrat e mia, që tashmë është realitet. Kur më erdhi ftesa, jam emocionuar jashtë mase, pasi në atë moment kuptova që ëndrrat kishin filluar të bëheshin realitet dhe mozaiku i karrierës time kishte filluar të merrte formë”.

“Besoj se çdo njeri emocionohet kur dëgjon himnin kombëtar. Por nuk ka emocione më të mëdha sesa ta këndosh e ta dëgjosh atë himn, duke mbajtur fanellën e Kombëtares veshur, me trupin që dridhet i gjithi nga emocioni. Pa dyshim që momenti më i lumtur dhe më emocionues është ndeshja e parë që kam luajtur duke përfaqësuar Kombëtaren time”, nënvizon ajo.

Për sakrificën më të madhe që ka bërë për futbollin, ajo tregon se, “çdo futbollist ka luajtur të paktën një herë i dëmtuar në një ndeshje, duke rrezikuar dhe duke vënë futbollin para shëndetit, edhe pse mund të ketë pasoja. Mua më ka ndodhur të luaj e dëmtuar në ndeshje, sepse e dua këtë lojë”.

Për të ardhmen ajo shprehet se, “synim kryesor kam pasur të jem pjesë e Kombëtares. Meqë këtë e kam realizuar tashmë si synim, po punoj fort që të provuar edhe sfida dhe eksperienca të reja në ligat europiane”.

Në fund ajo i jep vajzave që duan të merren me futboll një mesazh. “Duke pasur parasysh se në vendin tonë njerëzit ende nuk janë mësuar me idenë se edhe vajzat mund të luajnë futboll, do të doja t’i thoja se ne nuk duhet të heqim kurrë dorë nga diçka që e duam. Në këtë mesazh përfshij edhe veten time, sepse ndryshimi nis nga vetja. Ne duhet t’i bindim paragjykuesit se e kanë gabim dhe duhet t’i bëjmë njerëzit të besojnë te ne, por fillimisht duhet të besojmë ne te vetja”, thekson ajo. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.