TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Me përfundimin në dhjetor të koncesionit absurd të kontrollit teknik të mjeteve rrugore (kolaudimi), ky shërbim, do t’i kthehet shtetit dhe do të kryhet nga janari 2021 nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Duke ndarë këtë lajm të mirë, Kryeministri Edi Rama tha se “nga janari 2021 do të ketë disa risi që do të lehtësojnë drejtuesit e 630 mijë automjeteve”.
Rama tha se “mjetet e reja (0 km) 3 vitet e para nuk do të kalojnë në kolaudim, ndërsa mjetet e përdorura, nga 1 herë në vit do ta kryejnë kolaudimin 1 herë në 2 vjet”.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se “mjetet taksi, autoshkolla dhe mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga çdo 6 muaj do ta kryejnë kolaudimin vetëm 1 herë në vit”.
“Tarifat aktuale nuk do të rriten, megjithëse afati i vlefshmërisë zgjatet. Radha famëkeqe e stresit dhe humbjes së kohës “tek Kolaudimi” do marrë fund”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit theksoi po ashtu se “cilësia e shërbimit do të rritet, përafrimi me Direktivat e BE në fuqi do të përshpejtohet, modernizimi e informatizimi i këtij shërbimi do të jetë prioritet, sikundër është bërë deri tani në punën transformuese të DPSHTRR”.
“Fotot nuk janë 3D por realiteti i institucionit të sapo rilindur të DPSHTRR Fier”, tha Rama.
/m.m/j.p/r.e/