Festa Kombëtare/ Ruçi uron homologun Ciolacu: Rumania, vend mik dhe partner në NATO

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Me rastin e Festës Kombëtare, 102-vjetorit të Ditës së Bashkimit të Madh-Ziua Marii Uniri të Rumanisë, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar  një letër urimi kryetarit të Dhomës së Deputetëve, Marcel Ciolacu.

“Deklarata e Bashkimit të Rumanisë, e shpallur në Alba Lulia, më 1 dhjetor 1918, është një ngjarje e shënuar në historinë e popullit mik rumun, e cila i hapi rrugë zhvillimit dhe prosperitetit të Rumanisë, si një komb e shtet modern. Rumania është është sot një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe i NATO-s, mik dhe partner i ngushtë i Shqipërisë”, shprehet Ruçi.

“Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ynë dypalësh janë aktualisht në momentin e tyre me të mirë dhe po zgjerohen e forcohen dita-ditës|”, theksoi ai.

“Shqipëria i është mirënjohëse Rumanisë për mbështetjen e vazhdueshme të rrugëtimit tonë europian, e cila u kurorëzua me vendimin e Këshillit Eurooian të çeljes së negociatave  në mars të këtij viti”, vijon Kryeparlamentari Ruçi.

“Vendimi i marrë nga Këshilli i Bashkimit Europian në datën 25 mars 2020 për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, i bazuar  në progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli, është rezultat edhe i kontributit të Parlamentit dhe qeverisë së Rumanisë, për të cilën populli shqiptar ju është shumë mirënjohës”, shprehet ai.

“Ne ndjekim me vëmendje përpjekjet e popullit dhe të institucioneve të Rumanisë për përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19 dhe urojmë e shpresojmë që popujt tanë dhe të gjithë kombet e planetit të dalin sa më shpejt dhe me pasoja sa më të lehta prej saj”, u shpreh Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.