Europiani 2022/ Kombëtarja e femrave mbyll eliminatoret në Portugali

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e femrave ka mbyllur fushatën e eliminatoreve të Kampionatit Europian 2022 me transfertën e Portugalisë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima u mund me rezultatin minimal 1-0 në një ndeshje mjaft të luftuar dhe ku tentoi deri në fund të merrte pikë.

Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: V. Rexhepi, A. Rrahmani, A. Hila, A. Curraj, S. Maliqi, E. Elezaj, L. Gjini, V. Levenaj, M. Doçi, Z. Bajramaj, M. Hamidi.

Vajzat portugeze e nisën vrullshëm ndeshjen, duke u shfaqur disa herë në portën e mbrojtur nga Rexhepi, por me kalimin e minutave futbollistet kuqezi arritën të dalin në lojën e tyre.

Bajramaj dhe Doçi ishin shumë aktive në fazën sulmuese dhe tërheqin skuadrën e tyre përpara, ashtu si edhe Hamidi, e cila ishte një rrezik në krahun e djathtë të mesfushës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0.

Në minutën e 57-të Portugalia arriti të gjejë edhe golin e vetëm të takimit, kur Ana Capeta dërgon topin në rrjetë pas një goditje të saktë me kokë.

Kombëtarja jonë përpiqet të reagojë dhe ka disa mundësi me vajzat kuqezi që për asnjë çast nuk e ulin ritmin dhe japin gjithçka në fushë.

Trajneri Grima bëri disa ndryshime, por rezultati mbeti i njëjtë deri në fund.

Kombëtarja shqiptare e mbylli fushatën e eliminatoreve në vendin e parafundit të Grupit E me 6 pikë pas 8 ndeshjeve të luajtura.

PORTUGALI-SHQIPËRI 1 – 0

Shënuese: Ana Capeta 57’

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.