Dëshmia e pacientit të shëruar nga COVID/ Ismail Luka i shpëtoi vdekjes falë përkushtimit të mjekëve e infermierëve të Infektivit


TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot një tjetër dëshmi të një pacienti të kuruar nga COVID, në Spitalin Infektiv në Tiranë, i cili vlerëson angazhimin e mjekëve në shërbim të pacientëve.

Mjeku stomatolog, Ismail Luka, tregon se “në 28 tetor bëri tamponin, pastaj bëri skanerin dhe u nis direkt drejt Spitalit Infektiv”.

“U shtrova dhe ndenja dy javë. Gjatë atyre ditëve shërbimi ishte i përkryer që nga infermierët e deri te mjekët. Një shërbim i përsosur. Falë mjekimit që u bë në Tiranë unë jam shumë i përmirësuar dhe dalëngadalë po e marr veten. Ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, duke filluar nga infermierët që dhe ushqenin të sëmurët, në çdo orë në kokën e të sëmurit për temperaturën, oksigjenin. Por edhe mjekët për mua janë heronj. Tritan Kalo, Ejsi Duka, Najada Çomo që me këshillat e tyre, unë arrita t’i shpëtoj vdekjes, sepse kur vajta në Tiranë kam qenë me 30% mushkëritë në punë”, tha ai.

Ndërsa bashkëshortja e tij, gazetarja Zenepe Luka u shpreh se “situata shëndetësore e bashkëshortit tim ishte shumë kritike”.

“Kur bëra skanerin dhe doli me 30% të mushkërisë u alarmova dhe është nisur brenda orës në Tiranë me ambulancë i shoqëruar me infermierë, me oksigjen. Një përkujdesje e jashtëzakonshme e Tritan Kalos, Najada Çomos, Ejsi Dukës dhe ia arriti që në ditën e 4 gjendja të merrte kthesë drejt jetës. Ata gjenin kohë 1 minutë në ditë të më shkruanin dhe të më informonin për situatën shëndetësore”, tha ajo.

“Edhe si gazetare e ndjek situatën orë pas ore, çfarë ndodh me bluzat e bardha, Një ministre aq e re në moshë por me zemër të madhe, kur e pashë që ajo u përlot në parlament duke folur sepse kolegët e saj opozita i fyen, i shan, i akuzon, them o Zot, edhe në këtë situatë ku diskutohet jeta e njeriut nuk po bashkohemi dhe të punojmë të gjithë bashkë për të shpëtuar njerëzit. Pashë lajmin në Greqi që të gjithë deputetë të të gjitha partive politike ikën nga parlamenti, mjekët, dhe veshën bluzat e bardha. Këtu te ne, të opozitës flas, jo që s’po e bëjnë këtë, por në daljen e tyre herë pas here në publik arrijnë në një farë mënyre të denigrojnë se nuk po punohet”, tha ajo.

“Jam gazetare profesioniste, nuk do ta toleroja dot fotografinë që nxori opozita me të vdekurit në morg, edhe media nuk duhej t’i transmetonte ato. Nëse do ishte Petrit Vasili ministër Shëndetësie çfarë do të bënte më shumë se ministrja tani? Tritan Shehu jo të veshi bluzën e bardhë e të kontribuojë. Cili është kontributi i tyre pyes unë me zë të lartë? Pse nuk vunë një vilë në dispozicion e të shndërrohej në një spital COVID për të mjekuar njerëzit?” – vijoi ajo.

“Ju lutem, unë takoj njerëz në rrugë dhe më thonë mjaft më me këto lajme të zeza. Mjaft më me politikën, o burra të japim të gjithë kontribut së bashku të bëjmë të pamundur të shpëtoj jetë njerëzore. Unë jam dhe presidente e fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” dhe kemi vendosur t’i akordojmë një medalje mirënjohje spitalit Infektiv të Tiranës, të gjithë personelit. Ky mendim është dhënë nga 20 degët e fondacionit në gjithë botën. Ne u themi  Presidentit të Republikës, pse nuk vlerësoni këto bluza të bardha që po sakrifikojnë. Në radhë të parë e meritojnë, në radhë të dytë u ngre moralin”, tha Zenepe Luka. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.