Covid 4/ Flasin mjekët dhe pacientët: Kushte shumë të mira, ofrohet shërbim me standarde bashkëkohore

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Spitali Covid 4 është vënë në funksion të plotë dhe ka pritur pacientët e parë. Personeli shëndetësor dhe pacientët e parë të shtruar në këtë spital tregojnë kushtet që ofrohen sipas standardeve bashkëkohore për t’iu përgjigjur nevojave që pacientët kanë.

“Pacientët të cilët janë janë të destinuar për Covid 4 janë kryesisht pacientë që vijnë nga spitali Covid 1 dhe Covid 3. Pacientë të cilët janë në kushte më të përmirësuara nga ana klinike, por që kërkojnë një periudhë akoma monitorimi dhe ndjekjeje për procesin e tyre të rehabilitimit.

Aktualisht stafi mjekësor i përbërë nga mjekët, infermierët, laborantët, farmacistët është gati. Është një ekip më së miri i trajnuar me eksperiencë dhe nga dy spitalet e tjera Covid 1 dhe Covid 2, plus staf shtesë”, tha dr. Esmeralda Meta.

Ndërkohë që pacientët e parë që u vendosën në spitalin Covid 4 thanë se kushtet janë shume të mira për të sëmurët, shumë pastër, duke vlerësuar dhe punën e mjekëve.

“Është mirë për të sëmurin. Më mirë se këtu, shumë pastër. Më mirë jam. Spitali për të shpëtuar jetë është. Bravo i qoftë mjekëve”, thanë dy nga pacientët e parë.

Spitali Covid 4 u përgatit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që në muajin maj dhe u hap sipas strategjisë së përcaktuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve pas ezaurimit të 3 spitaleve të tjera Covid. Ky spital ka një kapacitet prej 100 shtretërish, dhe është i pajisur me të gjitha mjetet dhe aparaturat jetëshpëtuese dhe linjat e oksigjenit në secilën dhomë./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.