Përgatitja e profesionistëve të rinj në drejtësi/ Gjonaj firmos memorandum bashkëpunimi me organizatën “Elsa Albania”

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Ministria e Drejtësisë dhe organizata “ELSA Albania” (Shoqata Europiane e Studentëve të Drejtësisë), nënshkruan të martën një memorandum bashkëpunimi për të nxitur të rinjtë që po studiojnë për drejtësi, të përfitojnë eksperiencë të vërtetë pune në institucionet shtetërore. ELSA është një organizatë ndërkombëtare, jo-fitimprurëse e drejtuar nga dhe për studentët.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes u shpreh se qëllimi është bashkëpunimi me studentë të drejtësisë, pjesë të kësaj organizate.

“Jemi këtu për të lidhur një marrëveshje me qëllim ndërtimin e një bashkëpunimi me studentët e drejtësisë, që janë pjesë e kësaj organizate për të përfshirë sa më shumë studentët, jo vetëm për përgatitjen e profesionistëve të rinj për t’i dhënë mundësi për partnershipe, por edhe për ti dhënë një mundësi të gjithë studentëve, për të kryer një sërë aktivitetesh si  në fushën e antikorrupsionit, reformën në drejtësi apo një sërë reformash të tjera administrative që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë dhe vijon të ndërmarrë. Gjithashtu dhe në mundësimin e intershipeve profesionale”, – tha Gjonaj.

Ministrja Gjonaj duke komentuar marrëveshjen thekson se “energjitë e të rinjve janë jetësore për një administratë publike dinamike. Ndaj jam krenare të ftoj çdo organizim studentor të shprehë interesin për të përfituar praktika profesionale si rrjedhojë e Paktit për Universitetin”.

“Grupimet studentore dhe studentët e fakulteteve të Drejtësisë mund të përfitojnë eksperiencë të vërtetë pune në institucionet shtetërore dhe agjencitë nën varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Të rinjtë juristë janë e ardhmja e sistemit të drejtësisë ndaj i ftojmë në çdo kohë të marrin aftësi profesionale për të qenë më të gatshëm për tregun e punës”, shprehet Gjonaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.